Reagon edhe Japonia: Rritja e ushtrisë kineze është shqetësim serioz
Pas reagimit të NATO-s, Japonia të enjten tha se qëllimet ushtarake të Kinës janë të paqarta dhe se zgjerimi i shpejtë i forcave të armatosura të këtij vendi janë për shqetësim serioz. Sipas Japonisë, kjo gjendje kërkon që Evropa, ShBA-ja dhe shtetet aziatike të bashkohen për t’i dalë në ballë Pekinit.
“Kina e ka rritur kapacitetin e vet ushtarak shumë shpejt dhe ne nuk jemi të sigurt se cilat janë qëllimet kineze dhe ne jemi seriozisht të shqetësuar për këtë”, tha ministri japonez i Mbrojtjes, Nobuo Kishi, para nënkomisionit të Parlamentit Evropian për siguri dhe mbrojtje përmes lidhjes virtuale.
Ndryshe, udhëheqësit e vendeve të NATO-s thanë për herë të parë të hënën se rritja e Kinës paraqet sfida sistematike. Vizita zyrtare e presidentit amerikan, Joe Biden, nëpër Evropë për tetë ditë ishte e përqendruar në kërkimin e përkrahjes për një strategji për ta mbajtur nën kontroll fuqinë në rritje të Kinës.
Sidoqoftë, misioni i Kinës në BE i mohoi pretendimet e NATO-s dhe tha se është e përkushtuar ndaj një politike të mbrojtjes që është mbrojtëse për nga natyra, shkruan Reuters.
Ministri japonez u tha ligjvënësve të Bashkimit Evropian se raketat balistike të Kinës, vendimi i saj për ta rritur buxhetin e mbrojtjes në katërfishin e buxhetit të Japonisë për mbrojtje dhe militarizimi i ishujve në Detin Jugor të Kinës duhet të vëzhgohen në mënyrë vigjilente për ta ruajtur paqen.