Britanikët të zemëruar, “mbyllet” turizmi, Portugalia hiqet nga lista e gjelbër
Vendimi i Britanisë së Madhe për të hequr Portugalinë nga lista e vendeve ku mund të udhëtohet pa karantinë ka zemëruar turistët që gjenden atje apo që kanë planifikuar të shkojnë.
Autoritetet britanike publikuan të enjten listën e përditësuar me vendet e kuqe, portokalli dhe të gjelbra ku ndryshimi kryesor ishte kalimi i Portugalisë nga kategoria e gjelbër tek ajo portokalli që parashikon karantinë për udhëtarët.
Vendimi praktikisht mbyll tregun e udhëtimeve turistike dhe thellon krizën pandemike për kompanitë ajrore.
Britania e madhe lejoi rifillimin e udhëtimeve në 17 maj pas më shume se 4 muajve izolim, me Portugalinë që u bë destinacioni i vetëm i madh, i hapur për turistët.
Mijëra britanikë që po pushojnë në destinacione portugeze, janë të pasigurt për atë që i pret pas rikthimit në shtëpi. Në listën e përditësuar të Britanisë, Shqipëria vijon të renditet mes vendeve portokalli ku nuk rekomandohet udhëtimi.