Mbi 57 mijë të vaksinuar Kosovë, vazhdon procesi i imunizimit të personave mbi 65 vjeçb
Këtë të hënë ka vazhduar vaksinimi i personave të moshës prej 65 vjeç e tutje, ku vetëm sot janë vaksinuar mbi 200 veta në qendrën më të madhe të vaksinimit në Prishtinë.
Kështu ka bërë të ditur Koordinatori i Qendrës së Vaksinimit në sallën “1 Tetori”, Niman Bardhi i cili tha deri sot në nivel vendi janë vaksinuar mbi 57 mijë persona.
Tutje, Bardhi ka bërë të ditur se sot nga ora 12:30 e tutje do të vaksinohen me dozën e dytë të gjithë profesionistet shëndetësorë që janë vaksinuar me dozën e parë në Kukës.
“Të gjithë këta profesionist kanë të ndarë kohën me emër dhe mbiemër dhe shpresojmë që këtë kontingjentin e parë prej rreth 300 profesionistëve deri në ora 19:00 të vaksinohen me dozën e dytë dhe nga nesër do të jetë kontingjenti tjetër, pra, të gjithë ata që e kanë marrë dozën e parë në Kukës, do ta marrin dozën e dytë të AstraZenecas këtu”, është shprehur Bardhi.
Aktualisht në vend janë 3 mijë e 631 raste aktive. Ndërsa për dy ditë Kosova nuk ka pasur asnjë rast të vdekjes si pasojë e infektimit me COVID-19
Numri total i rasteve pozitive është 107.244 raste nga 591.824 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.239 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 95 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 101.374 raste.