Biden presion Izraelit, presidenti i SHBA-së kërkon ulje tensionesh dhe armëpushim
Shtetet e Bashkuara të Amerikës shtojnë presionin ndaj Izraelit. Presidenti Joe Biden i ka kërkuar kryeministrit Benjamin Netanjahu “një ulje domethënëse të përshkallëzimit” në konfliktin me Rripin e Gazës.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë nxit kështu gjetjen e një shtegu drejt armëpushimit. Ky qëndrim është një tregues që Biden po humbet durimin me Netanyahu, një lider që e ka njohur prej 4 dekadash. Kjo erdhi pasi kryeministri izraelit nuk shfaqi shenja dorëzimi teksa foli edhe për pushtim.
“Ka vetëm dy mënyra se si mund të përballemi me ata. Ose mund t’i pushtojmë dhe kjo është gjithmonë një mundësi e hapur, ose mund t’i pengojmë ata, dhe tani po ndjekim me forcë këtë të dytën. Por duhet ta them se nuk përjashtojmë asgjë”, deklaroi kryeministri Netanyahu.
Në anën palestineze, retorika ishte përqendruar tek zgjidhja e konfliktit me ndihmë të ndërkombëtarëve. Sipas tyre paqja në rajon arrihet duke i dhënë fund pushtimit të tokave nga Izraeli.
“Puna jonë është e fokusuar në ndalimin e agresionit të Izraelit kundër popullit tonë në Jeruzalem, Bregun Perëndimor dhe Gaza”, deklaroi presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas.
Konflikti duket se është përhapur edhe në Liban, nga ku u lëshuan disa raketa në drejtim të Izraelit. Ushtria e Tel Avivit u përgjigj me bombardime me artileri. Situatë lufte vijon ende mes Izraelit dhe militantëve palestinezë, shkruan a2news. Të paktën 219 persona, përfshirë 100 fëmijë dhe gra, janë vrarë në Gaza.
“Kjo sipas nesh, reflekton ‘humanitetin” e tyre. Po shkatërrojnë shtëpi ndërsa banorët janë brenda; qytetarët largohen nga banesat gjatë natës; fëmijët e të moshuarit janë të tmerruar”, thotë Ahmad, pronar i një banese të shkatërruar.
Frikë ka edhe në Izrael, teksa Hamasi nuk ndalon sulmet raketore. 12 janë viktimat, mes tyre 2 fëmijë.
“Jemi në këtë situatë prej gati 20 vitesh. Fëmijët vuajnë nga ankthi, kanë frikë të flenë në shtëpinë e tyre. Siç e shihni po qëndrojmë në një vendstrehim dhe shpresojmë për më të mirën”, thotë Natanel.
Mijëra janë raketat e lëshuara nga Izraelitët dhe Palestinezë. Ushtria e Tel Avivit ka nisur dhe patrullimet detare afër Gazës. Pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve, palët janë më afër luftës se sa armëpushimit.