Besa Ismaili: Për diskursin politik si dritë e munguar
Opinion kundër goditjeve të ulëta të politikës ditore, tash e vite e më parë kundër çlirimtarëve. Oponencë e djeshme që sot mëton të drejtojë shtetin të cilin kanë provuar ta njollosin me të gjitha metodat dhe urrejtje patologjike ndaj kontribuuesve të lirisë, shtetformimit e shtetndërtimit.
Më duhet të shpreh indinjatën e thellë ndaj koleges nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, e cila Hagën e sheh si proces “çlirimi”, duke kurbanizuar ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Në këtë rast, rezultoi që kjo marri ta përfshijë Hashim Thaçin, ashtu si ka përfshirë edhe shumë të tjerë në të kaluarën. Pavarësisht pozicioneve politike, ata kanë bërë luftën e drejtë dhe nuk është aspak e drejtë që pozicioni politik të njollosë të kaluarën!
Por si mund të përfaqësosh diskurs të kundërt më proceset e inicuara nga Dick Marty në një anë dhe lutje-dëshirë apo veprim të njëjtë me të në anën tjetër (?!) , vetëm këtë unë nuk e kuptoj!
Më vije jashtëzakonisht keq që në instancat e mëdha shtetërore, përfshi një pjesë rrahagjokse të shoqërisë sonë, ende ka mendësi në rrethet e tyre që çlirimin nga okupatori serb e shohin si përmbysje elitash, e jo përmbysje ndaj okupatorit dhe shtypësit!
Ky çlirim, i lirisë, atë të cilin e shoh unë, është ndërtuar mbi sakrifica dhe humbje të mëdha, por asnjëherë mbi ato që pretendon Marty dhe veprimet simotra të tij, përfshi deklaratat e tilla, që iu gëzohen akuzave të Hagës, jo pse janë ndërtuar mbi pretendime të rreme dhe të fabrikuara, por si mjet politik për të përmbysur rende, që shoqërinë dhe Kosovën, gjithnjë në rrugë të dëshirueshme, e kanë bërë të lirë.
Por ka njerëz që i janë vënë përballë këtyre akuzave, jo për të zëvendësuar role, aq më pak dhe kurrën e kurrës as për të dëshiruar asgjësim politik të individëve, por për t’i dëshmuar botës të vërtetën, ashtu siç ia kishte dëshmuar në 1999-ën të drejtën.
Shpresoj që zonja në fjalë dhe gjithë ata që ndajnë këtë mendim me të, të e gjejnë vetën brenda kësaj të vërtete, ashtu siç po e gjejnë në përmbysje vlerash!