Gjithçka që ndodhi në konfliktin mes forcave izraelite dhe palestinezëve në Jerusalem e Gaza
Tensionet mes Izraelit dhe palestinezëve eskaluan në mënyrë dramatike të hënën. Grupet militante në Gaza hodhën raketa në drejtim të Izraelit, ndërsa ky i fundit u kundërpërgjigj me sulme ajrore në territorin bregdetar palestinez pas një bastisjeje të policisë në Xhaminë Al-Aqsa në Jerusalem, ku mbetën qindra persona të lënduar.
Sulmet me raketa filluan vetëm disa minuta pas kalimit të afatit të ultimatumit të Hamasit për Izraelin që t’i tërhiqte forcat e sigurisë nga zona e Jerusalemit ku ndodhet xhamia Al-Aqsa dhe nga lagjja Sheikh Jarrah, shkruan The Guardian.
Këto dy vende kanë qenë skena të përleshjeve gjithnjë e më të dhunshme në ditët e fundit mes forcave izraelite të sigurisë dhe palestinezëve. Këto përleshje kanë shkaktuar shqetësim në arenën ndërkombëtare.
Zemërimi ka qenë duke u rritur për javë të tëra në mesin e palestinezëve para një vendimi të gjykatës, që tashmë është pezulluar, rreth asaj se a kanë mundësi autoritetet që të dëbojnë dhjetëra palestinezë nga lagjja Sheikh Jarrah dhe që shtëpitë e tyre t’u jepen ardhësve çifutë.
Banorët e Jerusalemit raportuan se dëgjuan sirena paralajmëruese për sulme ajrore dhe tingullin e shpërthimeve pak pas orës 18 sipas kohës lokale, kur ishte caktuar përfundimi i afatit të ultimatumit të Hamasit për Izraelin.
U raportua se sirenat u dëgjuan edhe afër qytetit bregdetar, Ashkelon, dhe në zona të tjera afër kufirit të Gazës. Ushtria izraelite tha se fillimisht shpërthyen shtatë raketa, një u pengua, ndërsa sulmet me raketa janë duke vazhduar në jug të Izraelit.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se 20 palestinezë, përfshirë nëntë fëmijë, u vranë nga sulmet ajrore izraelite në territorin palestinez pas grumbullit të raketave që u hodhën kundër Izraelit. Një zëdhënës ushtarak izraelit tha se ushtria ka filluar që t’i sulmojë caqet ushtarake të Hamasit në Gaza.
Sulmet me raketa dhanë shenjë për një eskalim të konsiderueshëm dhe e rritën mundësinë e një kundërpërgjigjeje të fuqishme nga Izraeli. Ministri izraelit i Mbrojtjes deklaroi: Terrorizmi palestinez duhet të luftohet me një grusht të hekurt”, ndërsa lideri i opozitës izraelite, Yair Lapid, bëri thirrje për “veprim të fuqishëm dhe të vendosur për rikthim të mbrojtjes e parandalimit”, duke i rritur pritjet për masa të mëtejshme ushtarake.
Sulmet me raketa dhe sulmet ajrore hakmarrëse pas tyre erdhën pas një dite të eskalimit të shpejtë që ndodhi pasi policia izraelite e bastisi zonën e xhamisë në orët e hershme të së hënës, duke hedhur gaz lotsjellës dhe granata shoku dhe duke u përleshur me palestinezët që ndodheshin brenda, të cilët hodhën gurë.
Përleshjet janë mbi 500 palestinezë dhe 21 policë izraelitë të lënduar. Në pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes shihen grumbuj njerëzish duke vrapuar përballë xhamisë nëpër tym.
Sulmi i papritur i rriti tensionet në masë të konsiderueshme, duke e marrë parasysh ndjeshmërinë historike të atij vendi, sidomos gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.
Shtatë nga të lënduarit në përleshjet e së hënës janë në gjendje kritike. Mediet lokale po raportojnë se një vajzë 7-muajshe izraelite është lënduar nga gurët që u hodhën në drejtim të veturës së familjes së saj.
Në një përpjekje të qartë për t’i shmangur konfrontimet e mëtejme, autoritetet izraelite e ndryshuan rrugën e planifikuar të një marshi të diskutueshëm nga çifutët nacionalistë nëpër Këndin Mysliman të Qytetit të Vjetër.
Banorët palestinezë të Qytetit të Vjetër janë ankuar për një kohë të gjatë për këtë marsh, i cili e shënon pushtimin izraelit të Jerusalemit dhe të vendeve të shenjta çifute më 1967 gjatë luftës 6-ditore, duke e cilësuar si veprim të qëllimshëm provokues.
Krahu ushtarak i Hamasit e mori përgjegjësinë për valën e parë të sulmeve me raketa, duke thënë se e goditi Jerusalemin si kundërpërgjigje ndaj “krimeve dhe agresionit në Qytetit e Shenjtë dhe frikësimin e popullit në Sheikh Jarrah dhe Xhaminë Al-Aqsa”, thuhet në deklaratën e këtij grupi.
“Kjo është një porosi që armiku duhet ta kuptojë mirë”, tha një zëdhënës i Hamasit. Edhe grupi “Xhihadi Islamik” e mori përgjegjësinë për realizimin e sulmeve të veta me raketa. Rritja e tensioneve erdhi pas përleshjeve më serioze në qytet që nga viti 2017.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara zhvilloi konsultime prapa dyerve të mbyllura për situatën në Jerusalem dhe po e shqyrton mundësinë për një deklaratë që i bën thirrje Izraelit që t’i ndalë dëbimet dhe që bën thirrje për vetëpërmbajtje dhe respekt për status-quo-në historike të vendeve të shenjta.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se sulmet me raketa nga Gaza dhe Izraeli duhet të ndalen menjëherë dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që të bëjnë hapa për uljen e tensioneve.
Izraeli është përballur me shtim të kritikave ndërkombëtare për reagimin e gjerë policor dhe për dëbimet e planifikuara. Javën e kaluar, një organ i OKB-së për të drejtat e njeriut e cilësoi dëbimin e arabëve nga shtëpitë e tyre si krim të mundshëm lufte.
Nabeel al-Kurd, burrë 77 vjeç, familja e të cilit mund ta humbë shtëpinë, tha se dëbimet janë një përpjekje raciste për t’i dëbuar palestinezët dhe për t’i zëvendësuar me ardhës.
Sipas ligjit izraelit, çifutët që mund të dëshmojnë një titull nga periudha para luftës së vitit 1948, e cila e shoqëroi krijimin e shtetit, mund të pretendojnë për kthimin e pronave të tyre në Jerusalem. Qindra mijëra arabë ishin zhvendosur në të njëjtin konflikt, por një ligj i ngjashëm nuk ekziston për palestinezët që i humbët shtëpitë e tyre në këtë qytet