COVID-19, të pasurit po ikin me avionë privatë – pamje që tregojnë gjendjen e rëndë në spitalet e Indisë
Ultra-të pasurit e Indisë po paguajnë mijëra dollarë për tu larguar nga vendi ndërsa ky vend vendosi një rekord të ri global për infeksionet e përditshme të coronavirusit – për të katërtën ditë me radhë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, javën e fundit, India është bërë epiqendra e re e virusit, i cili ka mbingarkuar plotësisht sistemin e kujdesit shëndetësor dhe krematoriumet e vendit dhe ka çuar në një mungesë të tmerrshme të oksigjenit.
Vetëm të dielën, zyrtarët e shëndetit publik raportuan 349,691 raste të reja COVID-19 në vend, sipas Sky News.
Ata raportuan gjithashtu 2,767 vdekje, një rekord tjetër ditor, pasi disa kombe njoftuan se do të zbatonin kufizime udhëtimi për vizitorët nga India.
Dhe shifrat alarmante po i shtyjnë indianët e pasur të paguajnë mijëra dollarë për “fluturimet e minutës së fundit dhe avionët privatë” ndërsa kufizimet e udhëtimit po vendosen për këtë vend.
Në këtë drejtim, siç shkruan Business Insider, një destinacion popullor duket se janë Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili është vetëm një distancë e shkurtër nga India dhe zakonisht kryen qindra fluturime nga dhe për atje.
Megjithatë, ky vend njoftoi këtë javë se po ndalonte hyrjen e udhëtarëve nga India për 10 ditë nga 25 prill, sipas Gulf News.
Një zëdhënës i kompanisë Air Charter Service India i tha AFP-së se interesimi për avionët privatë ka qenë “absolutisht i çmendur”.
“Ne kemi 12 fluturime që do të shkojnë në Dubai nesër dhe çdo fluturim është plotësisht i mbushur”, ka thënë zëdhënësi të premten, sipas The Economic Times.
Siç edhe është bërë e ditur, vala vdekjeprurëse e dytë e Indisë po vazhdon të vendosë rekorde botërore për numrin e përgjithshëm ditor të rasteve me coronavirus.
Kështu, infeksionet e reja të coronavirusit ishin më të lartat në botë për ditën e tretë të shtunën, ndërkohë që është raportuar për mijëra të vdekur.
Si pasojë, spitalet e vendit po raportojnë nivele të ulëta të oksigjeni dhe mungesën e shtretërve bosh, situatë të cilën BBC e ka sjellë përmes pamjeve, duke vizituar një nga spitalet në Delhi.