Izraeli hakmerret menjëherë pas sulmit afër reaktorit bërthamor
Një raketë tokë-ajër shpërtheu në pjesën jugore të Izraelit të enjten, njoftoi ushtria izraelite.
Shpërthimi i aktivizoi sirenat e alarmit në zonën afër reaktorit bërthamor në qytetin Dimona. Nuk ka raporte për persona të lënduar apo dëme materiale. Sidoqoftë, Izraeli mori masa menjëherë.
Ushtria e këtij vendi tha se si kundërpërgjigje ndaj sulmit, sulmoi disa bateri raketash në Siri, përfshirë atë që e hodhi raketën që e goditi territorin izraelit, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Në anën tjetër, agjencia shtetërore e lajmeve e Sirisë tha se sistemi i mbrojtjes ajrore e ka penguar sulmin izraelit që cak i kishte disa zona në periferi të Damaskut. “Sistemi ajror i pengoi raketat dhe e rrëzoi shumicën e tyre”, tha kjo agjenci. Megjithatë, u njoftua për katër ushtarë të lënduar.
Një dezertor i ushtrisë siriane tha se sulmet izraelite i patën cak zonat afër qytezës Dumair, rreth 40 kilometra në verilindje të Damaskut, ku ka prani të grupeve militante të përkrahura nga Irani. Kjo zonë është goditur vazhdimisht nga Izraeli në të kaluarën.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se raketa siriane ishte hedhur në drejtim të një aeroplani izraelit gjatë një sulmi të mëhershëm, por e kaloi cakun dhe arriti në zonën e reaktorit bërthamor në qytetin Dimona.
Mediet izraelite javët e fundit kanë raportuar se sistemet e mbrojtjes ajrore përreth reaktorit në Dimona dhe në portin e Detit të Kuq, Eilat, janë duke u përforcuar për shkak të një sulmi të mundshëm me raketë me rreze të gjatë veprimi ose me dron nga forcat e mbështetura nga Irani, ndoshta me një sulm të nisur aq larg sa nga Jemeni.