Britania thërret në raportim ambasadorin rus shkaku i Ukrainës
Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha se të enjten e thirri në raportim ambasadorin rus në këtë shtet, Andrey Kelin, për ta shprehur shqetësimin e saj rreth sjelljeve të dëmshme nga shtetit rus dhe për të shfaqur përkrahje ndaj sanksioneve të presidentit amerikan, Joe Biden, ndaj Rusisë.
Një zyrtar i Zyrës së Jashtme gjithashtu e shfaqi shqetësimin e Mbretërisë së Bashkuar rreth grumbullimit të forcave ushtarake ruse afër kufirit me Ukrainën dhe në Krimenë e aneksuar ilegalisht, thuhet në deklaratën e ministrisë.
“Këto veprime janë kërcënuese dhe destabilizuese. Rusia duhet t’i ndalë provokimet e saj dhe t’i ulë tensionet në linjë me obligimet e saj ndërkombëtare”, thuhet më tej në deklaratë, shkruan Reuters.
Nënsekretari i Përhershëm i Zyrës së Jashtme, Sir Philip Barton, ia bëri të ditur ambasadorit rus vlerësimin e Britanisë së Madhe se shërbimet ruse të inteligjencës qëndrojnë prapa aktivitetit kibernetik rreth softuerit të kompanisë “Solarwinds”, njësoj siç kanë vlerësuar edhe Shtetet e Bashkuara.
Ambasadori rus gjithashtu u informua se Britania e Madhe do të vazhdojë të punojë me aleatët e saj për t’i kundërshtuar operacionet e dëmshme të shërbimeve ruse të inteligjencës.
Të enjten, Shtetet e Bashkuara i vendosën sanksione të reja Rusisë dhe morën vendim për dëbimin e dhjetë anëtarëve të stafit diplomatik rus në Uashington. Në mesin e tyre ka edhe përfaqësues të shërbimeve ruse të inteligjencës.