Për qejf e kafe, mbi 48 mijë kosovarë i kaluan tri ditë në Shqipëri
48 mijë e 621 qytetarë të Kosovës kanë vizituar Shqipërinë gjatë të premtes, të shtunës dhe të dielës së javës së kaluar. Faktor kryesor në këtë lëvizje konsiderohet të kenë qenë masat e reja që i vendosi Qeveria në Kosovë dhe moti i mirë. Sipas vendimit të Qeverisë Kurti gastronomia në Kosovë mbyllet për 11 ditë dhe funksionon vetëm për porosi ‘merr me vete’.
E premtja në Kosovës ishte ditë pushimi, pasi ishte Dita e Kushtetutës. Për të kaluar pushimin, në atë ditë me diell, shumë qytetarë ia mësyen Shqipërisë.
Vetëm të premten, kufirin me Shqipërinë e kaluan mbi 15 mijë persona, ndëra të shtunën 14,776 persona.
Mirëpo, fluksi i qytetarëve drejtuar Shqipërisë të dielën u rrit edhe më shumë. Nga katër pikë kalimet kufitare më Shqipërinë, të dielën 18 mijë 418 qytetarë u nisën për atje.
E totali për tri ditët është 48 mijë e 621 qytetarë që vendosën ta kalojnë vikendit atje, duke marrë parasysh që në Kosovë mundësitë për rekreacion ishin të mangëta shkaku i kufizimeve.
Ndikimi i masave të reja në Kosovë: Sot mbi 5 mijë persona kanë udhëtuar për në Shqipëri
Ndërsa numri i qytetarëve që kanë hyrë në Kosovë për këto tri ditë është 45 mijë e 938, shkkruan FaktePlus.
Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës, në statistikat e dërguara në Redaksinë e Agjencisë së Lajmeve FaktePlus.
E bartja e infektimit me COVID-19 mund të rritet edhe më shumë për shkak të këtyre tri ditëve me lëvizje të mëdha, pasi qytetarët që hyjnë në Kosovë nuk kanë nevojë as për test dhe as për izolim dyjavor.
Këtë e bëri të ditur, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
“Është vendosur prej muajsh që ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë nuk do të ketë ndalesa të qytetarëve që do të thotë nuk kanë nevojë për të pasur teste reciproke në kufi ose për të paraqitur dokumentacionin që është bërë një test si Tiranë apo në Prishtinë dhe kjo është pozitive por që do thotë që duhet të jemi të kujdesshëm me masat”, tha Minxhozi.
Edhe infektologu, Ilir Tolaj e ka aprovuar deklaratën e ambasadorit Minxhozi.
“Në Shqipëri gjendja epidemiologjike është më e mirë sesa në Kosovë atëherë si përfundim i logjikshëm edhe profesional rrjedh se nuk ka nevojë për kurrëfarë masash shtesë që të aplikohen për personat të cilët gjatë kësaj feste kanë qenë në Shqipëri”, tha Tolaj për RTV21.
Përveç qytetarëve, Shqipërisë ia mësyen edhe deputetë e zyrtarë të partisë në pushtet. Sipas raportimeve mediatike në Shqipëri ishin: ministri i infrastrukturës Liburn Aliu, deputeti Armend Muja, deputeti Valon Ramadani, deputeti Bujar Dugolli, deputeti Agon Batusha e këshilltarja komunale në Viti Liridona Bislimi.
Arsyeja e vizitës së zyrtarëve të VV-së është fushata për zgjedhjet në Shqipëri që pritet të mbahen më 25 prill.
Masat e reja që filluan të zbatohen më 7 prill (e mërkurë) janë që gastronomia, fitneset dhe qendrat tregtare mbyllen për 11 ditë, ora policore është prej orës 22:00 deri në 05:00 dhe institucionet universitare të kalojnë në formën online.
Këto masa u vendosën nga Qeveria e Kosovës, pas numrit të madh të rasteve pozitive dhe të vdekjes për shkak të infektimit me koronavirus./FaktePlus/