Mbi artistët matrapazë…
Me ardhjen e qeverisë së re në Kosovë, si frymë e ndryshimit si në mendësi ashtu edhe në veprim, konsideroj se ka ardhur koha që të thuhen disa fjalë për disa dukuri, që tashmë janë tipizuar me statusin “dukuri kronike”, dhe që në mënyrë joformale “qeverisin” komunitetin e artistëve të teatrit dhe filmit.
T’i shtjellojmë me radhë:
- Duke marr parasysh nivelin e ulët të investimeve në kulturë, komuniteti i artistëve të teatrit bën pjesë në kategorinë e komuniteteve më të varfra në Kosovë, por ky fakt i hidhur nuk i ka penguar disa kolegë tanë që të akumulojnë pasuri marramendëse. Dikush mund të pyes, si? Është shumë e thjeshtë: këta kolegë tanë, që kanë punuar dhe vepruar me fondet e buxhetit tonë, por edhe me ato që kanë ardhur nga jashtë nga vendet mike të Kosovës, në mungesë të burimeve të tjera financiare, kanë mundur t’i akumulojnë këto pasuri vetëm nëpërmjet manipulimit me fatura e kontrata fiktive, pra i kanë vjedhur projektet e veta.
- Pastaj një pjesë e tyre, duke dashur që të duken interesant dhe atraktiv para një pjese të donatorëve, e kanë degraduar krijimtarinë e tyre në nivelin e propagandës. Për pak fonde e kanë përqafuar narracionin se gjatë luftës disi të gjithë paskemi qenë po njësoj kriminelë, pra në funksion të logjikës së poshtër dhe fyese të barazimit të kriminelit dhe viktimës. Pastaj, boshti i dytë që ka dominuar esencën e krijimtarisë së këtyre kolegëve tanë është se ne, pra shqiptarët, jemi primitivë e arkaikë larg vlerave civilizuese, d.m.th një shoqëri e një rendi të dytë që paska nevojë për edukim (lexo: duhet fonde për ta financuar edukimin). Natyrisht që si e para ashtu edhe e dyta janë pohime të pavërteta, qoftë në kontekstin historik ashtu edhe në atë artistik. Arti flet vetëm me gjuhën e të vërtetës dhe jo me të “vërtetën” e porositur. Veprat me porosi, për qejf dhe agjenda të donatorëve, nuk janë vepra arti: ato janë pamflete propagandistike, ndërkaq autorët e tyre nuk janë asgjë tjetër pos mercenarë.
- Vjedhja e projekteve të veta si dhe ky flirt i poshtër me agjendat që nuk përkojnë me interesat dhe të vërtetën e këtij populli, këtyre kolegëve tanë u ka krijuar komoditetin financiar që përreth vetes të mbledhin artistë të tjerë të cilët, në emër të një honorari shumë të nevojshëm për ta, indirekt janë rekrutuar si ushtarë të këtyre kauzave. Dhe natyrisht që këta, për të mbrojtur honorarët e tyre, duhet të lartësonin kolegët shefa.
- Për më shumë se një dekadë, këta matrapazë kanë bashkëjetuar me pushtetet e kaluara, herë nëpërmjet lëpirjes e herë nëpërmjet formulës së shantazhit, “na mbështesni përndryshe ju sulmojmë” ose “na mbështesni sepse neve na duan donatorët”. Dhe, me aq sa po shihet, edhe me qeverinë e re duan ta bëjnë të njëjtin.
Ne, një pjesë jo e vogël e komunitetit të teatrit, jo pak të nëpërkëmbur nga pushtetet e kaluara, sepse nuk kemi dashur të bëhemi pjesë e dekorit të tyre dhe as e shpurave mercenare, besojmë në atë se udhëheqësit e tashëm dhe fryma që përfaqësojnë përbën një vlerë politike dhe administrative që nuk mund të shantazhohet nga kërcënimet e këtyre matrapazëve dhe as të manipulohet nga lajkat dhe lëpirjet tyre.
Kemi shumë shpresë që qeveria e re, pra edhe Ministria e Kulturës, një pjesë të vëmendjes do t’ia kushtojë këtyre manipulimeve me të vërtetën e palëkundur historike të këtij populli dhe vlerave të tjera të tij si dhe me matrapazllëqet financiare-administrative të lartcekura, që me pak mund do të vërtetoheshin përtej çdo dyshimi si veprimtari të pastra kriminale.
Dhe që në fund, institucionet e kulturës, sidomos ato të karakterit nacional, si Teatri Kombëtar dhe të ngjashme, lirshëm dhe pa frikë nga shantazhet e këtyre qarqeve, të mund të realizojnë shtyllën themelore të misionit të tyre, pra të veprojnë në funksion të kujtesës kombëtare si dhe promovimit të vlerave të vërteta të këtij populli.
Shkruan: Albatros Rexhaj