Shtet shembull: Zelanda e Re jep pushim me pagesë në rast të lindjes së foshnjës së pajetë
Nënat që punojnë dhe bashkëshortët e tyre do të kenë pushim me pagesë në Zelandën e Re, në rast se ata përjetojnë abort natyror të frytit ose lindje të foshnjës së pajetë. Ky ligj besohet të jetë i pari në botë i këtij lloji.
Ligji i miratuar në orët e vona të së mërkurës u ofron prindërve që përjetojnë raste të tilla pikëllimi që të marrin tri ditë pushim me pagesë, duke mos qenë të detyruar që të marrin pushim mjekësor të rëndomtë.
Deputetja Ginny Andersen tha se lindja e foshnjës së pajetë duhet të njihet për pushim me rastin e një humbjeje të madhe, por stigma rreth kësaj çështjeje ka bërë që njerëzit të ngurrojnë për ta diskutuar për këtë temë, shkruan Daily Mail.
“Pikëllimi që vjen në këtë rast nuk është sëmundje, është humbje dhe kjo humbje merr kohë, kohë për ta marrë veten fizikisht dhe kohë për ta marrë veten mendërisht”, tha ajo në kuvend.
Deputetja shtoi se ky ligj e vazhdon rolin e kuvendit të Zelandës së Re për udhëheqjen e mbrojtjes së të drejtave të grave, sidomos për të drejtën për votim dhe pagë të barabartë.
Ligj të ngjashëm ka Australia, por atje burri dhe gruaja kanë të drejtë vetëm për pushim pa pagesë në rast të abortit natyror në shtatzëni në të cilat fryti ka më shumë se 12 javë.