Kina pas takimit në ShBA: Jomikpritës, folën shumë, s’pritet ashtu mysafiri
Mediet shtetërore kineze, të cilat zakonisht i përçojnë drejtpërdrejt fjalët e zyrtarëve të shtetit, raportuan se zyrtarët amerikanë folën shumë gjatë në fjalën hyrëse të bisedimeve në Alaskë me delegacionin kinez, ishin jomikpritës dhe e shkelën protokollin shtetëror.
Zyrtarët e delegacionit i thanë televizionit CCTV se ata shkuan me sinqeritet në bisedimet që u mbajtën në qytetin Anchorage dhe se i kishin bërë përgatitjet në linjë me marrëveshjet paraprake.
“Por pala amerikane, që filloi të fliste e para, e tejkaloi tepër kohën e caktuar për fjalën hyrëse të tyre, bëri sulme dhe akuza të paarsyeshme ndaj politikave të brendshme dhe të jashtme kineze dhe e provokoi grindjen”, tha një zyrtar kinez.
“Kjo nuk është mënyra se si duhet t’i trajtoni mysafirët tuaj dhe paraqet shkelje të protokolleve diplomatike”, shtoi zyrtari kinez, shkruan Reuters.
Kryediplomati kinez, Yang jiechi, dhe këshilltari i Shtetit, Wang Yi, zhvilluan bisedime me sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, dhe këshilltarin për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, në takimin e parë të nivelit të lartë mes dy fuqive botërore që nga ardhja në pushtet e presidentit amerikan, Joe Biden.
Takimi u përcoll me tone të ashpra dhe me akuza të ndërsjella, pasi kryediplomati amerikan e hapi çështjen e shqetësimit global rreth gjendjes së të drejtave të njeriut në Kinë.
Diplomati kinez, Yang, iu kundërpërgjigj duke thënë: “Ne shpresojmë se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë më mirë për të drejtat e njeriut. E vërteta është se ka shumë probleme brenda ShBA-së sa u përket të drejtave të njeriut, të cilat pranohen edhe nga vetë ShBA-ja”. Diplomati kinez mbajti një fjalim 15-minutësh, i cili u duk sikur e irritoi kryediplomatin amerikan.
Në anën tjetër, Blinken tha se udhëheqësit botërorë e kanë theksuar kënaqësinë e thellë që Shtetet e Bashkuara po riangazhohen me komunitetin ndërkombëtar pas katër vjetëve të pushtetit të Trumpit dhe doktrinës së tij “Së Pari Amerika”. “Unë gjithashtu po dëgjoj shqetësim të thellë rreth disa veprimeve që qeveria juaj është duke i bërë”, i thumboi homologët kinezë diplomati Blinken.
Kryediplomati i ShBA-së shtoi se administrata e Bidenit dhe aleatët e saj janë të bashkuar në kundërshtimin e autoritarizmit dhe ashpërsisë së Kinës brenda dhe jashtë vendit.
Si kundërpërgjigje, Yang me zemërim kërkoi që Shtetet e Bashkuara “të ndalojnë së çuari përpara versionin e saj të demokracisë në kohën kur po përballet me pakënaqësi në mesin e popullsisë së vet”.