Më në fund vijnë targat RKS, Ministria e Brendshme tregon kur nis shpërndarja
Ministria e Punëve të Brendshme tash e një kohë ka lëshuar targa provuese pasi nuk ka pasur material për të lëshuar targa të rregullta RKS.
Në një përgjigje dhënë për FaktePlus, nga kjo ministri kanë thënë që furnizimi me targa është bërë me datë 10 mars ndërsa shpërndarja ka filluar me 11 mars.
“Furnizimi me targa të automjeteve është bërë me datë 10.03.2021 ndërsa shpërndarja është bërë me datën 11.03.2021, në të gjitha QRA-të.”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.
Mirëpo shumë prej automjeteve janë pajisur me targa provuese (Probation), e aplikimi për ndërrimin e targave nga provuese në të rregullta fillon sot.
“Sot ka filluar aplikimi për ndërrimin e targave nga ato Provuese në targa të rregullta RKS.”, kanë thënë nga kjo ministri.
Arsyeja për mungesën e targave ka qenë mungesa e kontratës për furnizim me targa të automjeteve.
“Mungesa e targave ka qenë për shkak të mungesës së një kontrate për furnizim me targa të automjeteve.”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Brendshme.
MPB gjithashtu ka njoftuar se nuk ka nevojë për pagesë për ndërrimin e targave.
“Pagesat për targat provuese janë bërë sipas çmimit për targa të rregullta dhe me rastin e ndërrimit të targave nga provuese në targa të rregullta RKS pagesa konsiderohet pagesë e kryer.”, kanë sqaruar nga MPB.
Me targa provuese janë pajisur 15 mijë qytetarë, të cilët priten t’i ndërrojnë në ditët në vazhdim, dhe MPB bën thirrje që gjatë këtij procese të respektohen masat antiCOVID.
“Targat provuese që janë dhënë në mungesë të targave të rregullta me vendimin e Ministrit të MPB-së Nr. 923/2020 të datës 16.11.2020, janë të vlefshme deri në nxjerrjen e një vendimi tjetër dhe nga muaji Nëntor janë pajisur 15.000 qytetar të cilët pritet që ditët në vijim ti ndërrojnë këto targa me targat RKS. Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të respektojnë masat anti Covid gjatë këtij procesi në mënyrë që të ruajmë shëndetin publik”./FaktePlus/