Interesat politike lënë AKI-në tash e tre muaj pa drejtor
Agjencia e Kosovës për Inteligjencë për gati tre muaj ka mbetur pa drejtor, pozitë e cila sipas ligjit parashihet që më shumë se 20 ditë nuk duhet të qëndrojë e zbrazët.
Përcaktimi i kësaj pozite varet nga arritja e pajtueshmërisë mes zyrës së kryeministrit dhe presidentit. Pra, kryeministri në detyrë Avdullah Hoti dhe ushtruesja e detyrës së presidentit Vjosa Osmani duhet të ulen në një tavolinë dhe të arrijnë marrëveshje për drejtorin e ri të AKI-së.
Mirëpo ky kompromis nuk është gjetur qysh prej lirimit nga detyra e ish-drejtorit të AKI-së, Kreshnik Gashi nga kryeministri Hoti.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka kontaktuar me eksperten e sigurisë, Besa Kabashi- Ramaj e cila ka thënë që për 20 ditë nuk është problem që AKI të qëndrojë pa drejtor, mirëpo ky afat nuk duhet të tejkalohet sepse është vështirë të menaxhohet kjo pozitë.
“Afati ligjor që AKI-ja mund të qëndrojë pa drejtor ëshë 20 ditë. Përgjatë kësaj kohe drejtorin mund ta zëvendësojë zëvendësdrejtori. Por brenda 20 ditësh duhet të caktohet drejtori i ri. Për 20 ditë nuk është e vështirë të menaxhohet puna e AKI-së edhe pa drejtor pasi është periudhë afatshkurtë.“, ka thënë ajo.
Kabashi- Ramaj gjithashtu ka thënë që emërimi i drejtorit të AKI-së nuk duhet të vonohet pasi rrezikohet siguria e shtetit.
“Fakti që AKI- ja është tash e tre muaj pa drejtor është shqetësues për dy arsye. E para është për problemet që mund të shkaktojë brenda dhe e dyta për shkak se po dëshmon që siguria nuk është prioritet në agjendën e qeverisë momentale dhe të ardhshmes”, ka thënë Kabashi- Ramaj për FaktePlus.
Ajo ka thënë që Kosova po vazhdon ta cenojë sigurinë e saj, e shkaktar është jostabiliteti politik dhe mungesa e përkushtimit ndaj sektorit të sigurisë.
“Kosova vazhdon të krijojë hapësirë për pasiguri në vend, qoftë nga aspekti i kërcënimeve të brendshmë apo të atyre të jashtme, për shkak të jostabilitetit politik dhe mungesës së përkushtimit ndaj këtij sektori.“, ka thënë ajo.
Kabashi- Ramaj ka bërë thirrje që kur të emërohet drejtori i ri i AKI-së të zgjedhet për mandaj pesëvjeçar e të mos ketë më shkarkime.
“Qeveria e ardhshme bashkë me presidentin ta zgjedhë drejtorin e ri të AKI-së për një mandate 5 vjeçar e të mos ketë më shkarkime.”, ka thënë ajo.
Kreshnik Gashi ëshë liruar nga pozita e drejtorit të AKI-së më 17 dhjetor pasi ishte emëruar nga kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj dhe ish- presidentit Thaçi.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka dërguar pyetje edhe në Qeverinë e Kosovës dhe Presidencë, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk janë përgjigjur./FaktePlus/