Pas Rusisë, edhe Turqia i fut hundët në Afganistan, organizon negociata
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha të premten se vendi i tij planifikon të mbajë bisedime të paqes për Afganistanin në muajin prill në Stamboll, duke shtuar se Ankaraja do të caktojë të dërguar të posaçëm për Afganistanin.
Komentet e kryediplomatit turk erdhën pasi Shtetet e Bashkuara paraqitën një draft plani me të cilin bëhet thirrje për zëvendësimin e qeverisë së Afganistanit me një administratë të përkohshme me pushtet të ndarë deri në mbajtjen e zgjedhjeve sipas një kushtetute të re.
Propozimi i Shteteve të Bashkuara e ka për qëllim rinisjen e bisedimeve që kanë ngecur në Katar mes talibanëve dhe përfaqësuesve të qeverisë afgane, shkruan Reuters.
Cavusoglu tha se Turqisë më parë i është kërkuar nga zyrtarët afganë, talibanët dhe ekipi negociues që të bëhet vend nikoqir për bisedime dhe se vendimi i kësaj jave u mor pas propozimit të Shteteve të Bashkuara që takimi të zhvillohet në Turqi.
Ai shtoi se qëllimi i bisedimeve është që talibanët dhe qeveria afgane t’i vazhdojnë diskutimet në bazë të objektivave. Data e saktë e takimit dhe përmbajtja e bisedimeve ende janë duke u diskutuar.
Talibanët dhe qeveria afgane më parë kanë zhvilluar bisedime të paqes në Katar. Nga ajo kohë është shënuar pak progres dhe dhuna është ende mjaft e shpeshtë në shtetin e rrënuar nga lufta e gjatë.