Britania reagon pas pezullimit të vaksinës së saj nga 8 shtete evropiane
Rregullatori britanik për produkte mjekësore (MHRA) ka reaguar pasi disa shtete evropiane e pezulluan përdorimin e vaksinës së kompanisë “AstraZeneca”, duke theksuar se nuk është konfirmuar që rasti i mpiksjes së gjakut në Danimarkë ka lidhje me këtë vaksinë.
Phil Bryan, drejtor për siguri të vaksinave në këtë agjenci, tha se mbi 11 milionë doza të vaksinës së kompanisë “AstraZeneca” janë dhënë në Mbretërinë e Bashkuar dhe se raportimet për mpiksje të gjakut nuk kanë qenë më të shpeshta sesa që do të ndodhnin në situata normale, shkruan The Guardian,.
“Mpiksja e gjakut mund të ndodhë në mënyrë të natyrshme dhe nuk është e rrallë. Po e mbajmë këtë çështje nën vëzhgim të afërt, por dëshmitë që janë në dispozicion nuk vërtetojnë se vaksina është shkaktari. Njerëzit përsëri duhet të shkojnë dhe ta marrin vaksinën për Covid-19, kur një gjë e tillë u kërkohet”, tha Bryan.
Si reaguan shtetet evropiane të enjten?
Norvegjia dhe Islanda janë bërë dy shtetet e fundit që e pezullojnë përdorimin e vaksinës së kompanisë “AstraZeneca”, pasi këtë vendim e mori edhe Danimarka. Kjo masë vjen pas raportimeve se vaksina ka shkaktuar koagulim të gjakut dhe vdekjes së dyshimtë të një infermiereje në Austri.
Edhe Italia ka thënë se do ta pezullojë përdorimin e grupit të dozave të AstraZeneca-s që janë përdorur në Austri. Austria e pezulloi përdorimin e kësaj vaksine pas vdekjes së një gruaje në të pesëdhjetat. Ajo vdiq nga koagulimi i gjakut që iu shfaq 10 ditë pas vaksinimit.
Përpos këtyre shteteve, të njëjtin vendim e kanë marrë edhe Luksemburgu, Estonia, Letonia dhe Lituania, transmeton Gazeta Express.
Me këtë vaksinë, e cila do të prodhohet nga Instituti “Serum” në Indi, pritet të furnizohet edhe Kosova, por nuk dihet se kur saktësisht do të arrijnë dozat e para. Këto doza në Kosovë pritet të arrijnë si pjesë e programit COVAX.