Meksika një hap më afër legalizimit të kanabisit
Dhoma e Ulët në Meksikë e ka miratuar një projektligj që do ta legalizonte përdorimin rekreativ të kanabisit.
Ky projektligj do të shkojë në senat për një votim përfundimtar për të cilin partia e presidentit Andrés Manuel López Obrador është e sigurt se do të kalojë.
Presidenti meksikan ka argumentuar se ky ligj mund të ndihmojë në përballjen me kartelet e fuqishme të drogës në vend.
Megjithatë, kritikët kanë argumentuar se një ligj i tillë mund ta bëjë marihuanën më të qasshme për fëmijët. Disa të tjerë kanë vënë në pikëpyetje se pse meksikanët mund të blejnë sa të duan alkool, derisa mund të ndiqen penalisht nëse kultivojnë më shumë se tetë bimë kanabisi.
Votimi i këtij projektligji do ta bënte Meksikën një nga tregjet më të mëdha të rregulluara të kanabisit në botë.
Meksika është përballur me një luftë të përgjakshme kundër karteleve të drogës me mijëra të vrarë gjatë vitit.
Ligjvënësit kanë votuar në favor të këtij projektligji me 316 vota pro dhe 129 kundër. Ai ishte aprovuar në Senat në muajin nëntor, por edhe një tjetër votim është i nevojshëm pas disa ndryshimeve që janë bërë nga Dhoma e Ulët.
Ky draft ligj do t’i lejonte përdoruesve përdoruesit që kanë leje të mbajnë deri në 28 gramë kanabis dhe të kultivojnë deri në tetë bimë kanabisi në shtëpi për përdorim personal. Aktualisht nuk është e ligjshme mbajtja e më shumë se pesë gramëve kanabis.
Do të lejonte gjithashtu edhe licensa të tjera për kultivimin, transformimin, kërkimin dhe eksportin ose importin e kanabisit, raporton Reuters.
Nëse ligji aprovohet, Meksika do të bëhet vendi i tretë në botë – pas Uruguajit dhe Kanadasë – që e legalizon kanabisin për përdorim rekreativ në gjithë vendin.