Ku e ka origjinën koronavirusi? Pritet nxjerrja e raportit nga OBSH-ja
Hetuesit që zhvilluan inspektime në Kinë për të zbuluar origjinën e koronavirusit, do të nxjerrin në mes të marsit një raport me përfundimet e tyre, tha të premten një zyrtar i OBSH-së.
Peter Ben Embarek, i cili udhëhoqi misionin, sqaroi në konferencën e rregullt për shtyp të organizatës se nuk do të nxirrej një raport paraprak, siç ishte premtuar më parë.
“Për sqarim, kurrë nuk kishim plane për të nxjerrë një raport paraprak. Shpresonim të nxirrnim një përmbledhje të raportit, por drejtori i përgjithshëm i OBSH-së do të marrë në të ardhmen e afërt raportin tonë me rekomandime,” tha Embarek.
Gazeta Wall Street Journal njoftoi të enjten se ekipi i OBSH-së kishte vendosur të mos nxirrte raport paraprak “ndërkohë që po rriten tensionet mes Pekinit dhe Uashingtonit”. Një tjetër grup me shkencëtarë ndërkombëtarë i ka bërë thirrje OBSH-së të zhvillojë një hetim të ri për origjinën e virusit.
Shkencëtarët thanë përmes një letre të enjten se ekipi i OBSH-së “nuk kishte mandatin, pavarësinë, ose qasjen e nevojshme për të përmbushur një hetim pa kufizime”.
Shkencëtarët shtojnë në letër se hetuesit e OBSH-së në Kinë shoqëroheshin nga homologë kinezë.
Për herë të parë koronavirusi u zbulua në qytetin kinez të Wuhanit në dhjetor 2019.
Ish-Presidenti amerikan Donald Trump këmbëngulte pa ofruar prova se koronavirusi kishte dalë nga një laborator në Wuhan dhe ishte përhapur në popullatë.
Një ekip me ekspertë ndërkombëtarë filloi një hetim katër javor në Wuhan në janar, të cilin e përmbylli muajin e kaluar.
Ndërkaq, Administrata amerikane për Ushqimin dhe Barnat nxori të enjten një paralajmërim për pajisjet që përdoren për të kontrolluar temperaturën e individit, si mënyrë për t’u siguruar se nuk ka COVID.
Autoriteti federal thotë se “përdorimi i gabuar i këtyre sistemeve mund të rezultojë në temperaturën e gabuar si rezultat i disa faktorëve”. Agjencia thotë se u kishte dërguar kompanive një numër letrash për t’i paralajmëruar se kanë nxjerrë në shitje pajisje “të pamiratuara, të pakontrolluara për matjen e temperaturës”.
Ndërkaq, gazeta Guardian thotë se situata në Papua Nju Gini është kritike. Spitalet në këtë vend të Paqësorit kanë mbetur pa fonde dhe “po mbyllin dyert” si rezultat i shtimit të numrit të pacientëve.
Në Okland të Zelandës së Re autoritetet pritet të zbusin masat kufizueze të dielën, pasi të premten nuk pati raste të reja të identifikuara me COVID. Pritet që edhe pjesa tjetër e vendit të zbusë së shpejti masat kufizuese.
Universiteti Johns Hopkins njoftoi të premten se deri tani janë identifikuar afro 115.8 milionë raste me koronavirus në shkallë globale. Shtetet e Bashkuara janë vendi me numrin më të lartë të infektimeve me afro 29 milionë raste pozitive, pasuar nga India me afro 11.2 milionë dhe Brazili me 10.8 milionë./voa