Prokurori njujorkez do hetojë financat e ish-presidentit Trump
Vdekja dhe taksat janë të sigurta në jetë, thotë një proverb amerikan. Prokurori njujorkez Cyrus Vance ka fituar betejën e tij për t’i marrë të dhënat për financat e ish-presidentit amerikan Donald Trump, që sipas tij janë të nevojshme për një hetim të hollësishëm mbi dyshimet për evazion fiskal.
Gjykata e Lartë amerikane hodhi poshtë këtë të hënë përpjekjen e fundit të ish-presidentit Donald Trump për t’i mbajtur të fshehta të dhënat financiare dhe sa taksa ka paguar ish-Presidenti.
Prokurori njujorkez Vance Jr. ka fituar betejën e tij për t’i marrë të dhënat për financat e ish-presidentit amerikan që sipas tij janë të nevojshme për një hetim të hollësishëm mbi dyshimet për evazion fiskal.
“Puna vazhdon”, tha prokurori në një deklaratë të lëshuar pas vendimit të gjykatës së Lartë.
Ndryshe nga të gjithë presidentët e tjerë amerikanë, Trumpi refuzoi gjatë katër viteve të tij në detyrë t’i bëjë publike taksat e paguara prej tij. Mediet amerikane shkruajnë se të dhënat mund të japin detaje mbi pasurinë e tij dhe aktivitetet e kompanisë së tij të pasurive të patundshme.
Trumpi, u largua nga detyra më 20 janar pasi u mposht nga kandidati Joe Biden, dhe përballet me një sërë çështjesh ligjore.
Kërkesa e prokurorit njujorkez është bërë që në gusht të 2019-ës për të parë kthimin e taksave të ish-presidentit nga viti 2011 deri në 2018.
Kjo kërkesë u bllokua nga avokatët e Trumpit duke argumentuar se presidenti në detyrë kishte imunitet nga hetimet penale të shtetit amerikan.
“Trumpi ka paguar vetëm 750 dollarë taksa mbi të ardhurat në vitin 2016 dhe 2017, ndërsa nuk ka paguar fare taksa në 10 nga 15 vjetët e mëparshëm, kryesisht për shkak se ai ka raportuar më shumë humbje sesa fitim”, shkruante New York Times në shtator të 2020-ës, pas një hetimi të gjatë gazetaresk.