Hoxha: Përfshirjen e fëmijëve në edukimin parafillor do ta rrisim në 30 për qind
Kandidatja për deputete e PDK-së, Eliza Hoxha, ka prezantuar disa nga planet e partisë së saj në lidhje me arsimin duke identifikuar edhe disa probleme aktuale.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka një rrëmujë brenda organizimit të saj në këto tre vjetët e fundit. Vetë rregullorja e organizimit të brendshëm, strukturimit të vendeve të punës është mishmash”.
“Synimi ynë është mësimi gjatë gjithë jetës. Nuk mundesh të jesh doktor shkence nëse nuk avancohesh me mënyrat e reja të transmetimit të dijes, të komunikimit dhe punës atëherë normalisht nuk është joshëse as për nxënësit. Kjo është pjesë e synimit tonë”.
Hoxha ka thënë se përfshirja e fëmijëve në edukimin parafillor do ta kenë në prioritet meqë përqindja aktuale është shumë e ulët.
“Edukimi parafillor sot është 6.2 për qind të rritet deri në 30 për qind dhe kjo të bëhet përmes ndërtimit të çerdheve të reja qoftë edhe përmes riparimit të çerdheve të vjetra”.
Ajo ka klasifikuar si problem për arritjen e këtij synimi edhe mungesën e tokës publike ku tha se do të mund të zgjidhet përmes një fondi shtesë për simulimin dhe blerjen e tokës”.
Po ashtu, Hoxha në Rubikon ka thënë se për përmirësimin e arsimit në Kosovë duhet të jetë një projekt kombëtar për të hartuar planet për hapat afatshkurtër dhe atyre afatgjatë.