Syla i AAK-së: Vjosa Osmanin e quajta të trashë me mendje, nuk e kisha fjalën për fizikun e saj
Kandidati për deputet i AAK-së, Gazmend Syla, thotë se deklarata e tij për Vjosa Osmanin i është nxjerrë nga konteksti dhe se nuk e ka pasur fjalën për fizikun e saj, kur i referohet si “grua e trashë”, por për mendjen e saj.
Ai thotë se fjalën e ka pasur për trashësinë mendore, pasi Osmani kishte deklaruar se është manipuluar nga LDK-ja.
Tutje, ai i ka kërkuar ndjesë Osmanit.
Reagimi i tij i plotë:
Në takimin që e kisha mbrëmë me miq e dashamirë në Rashiq të Pejës, dikush e ka nxjerrur nga konteksti një deklaratë timen ndaj u.d të presidentës, znj. Vjosa Osmani.
Në një pjesë të videos është shkëputur fjalia ku unë znj. Osmani i referohem si e “trashë”, ndërsa nuk pasqyrohet i tërë fjalimi, ku unë “trashësinë” e saj e shpjegojë me trashësinë mendore, duke aluduar në deklaratën e saj të mëherëshme kur thotë se ka qenë “e manipuluar” nga LDK në kohën kur e kishte sulmuar Lëvizjen Vetëvendosje!.
Prej nga vijë unë, pra nga Dukagjini, kur dikush manipulohet e mashtrohet, i themi se qenka treguar i/e trashë. Si rrjedhojë e kësaj, unë asnjëherë nuk kam pasur për qëllim talljen e fizikut të znj. Osmani. Ata që e shkëputën fjalimin për të më pasqyruar qëllimshëm keq në ketë kohë të zgjedhjeve, nuk e morën mundin që së paku të më kontaktojnë për të dhënë edhe unë shpjegimin tim. Kaq për profesionalizmin e disave dhe kaq për keqkuptimin.
Si baba i dy fëmijëve, Lisës dhe Gertit, mundohem që çdo ditë të jem shembull për ta e në çdo rrethanë ta luftojë bulizmin. Ata që më njohin, e dinë shumë mirë se aspekti fizik i ndokujt nuk është karakteristikë e gjykimit tim. Unë përfaqësoj dhe kam shokë të mirë që në luftë i kanë humbur gjymtyrët dhe nuk mundet ndonjë dashakeq të më pasqyrojë kaq ultë brenda ditës.
Për hir të informimit korrekt të publikut e në mënyrë që të shmang keqkuptimet tjera, e mora mundin të sqarojë deklaratën time të djeshme.
Znj. Osmani e kujtdo tjetër i kërkoj ndjesë për shqetësimet eventuale, me shpresë se i kuptojnë tashmë nxjerrjet nga konteksti që kohë pas kohe i bëjnë dashakëqinjtë.
Duke shpresuar në fushatë korrekte, i bëj thirrje miqësore mediave në vend që të jenë më të kujdesshëm e korrekt në transmetimin e lajmeve. Nuk jemi vetëm ne kandidatët për deputetë e politikanët që po afektohemi, por edhe familjet tona.