SHBA-ja do të marrë një vendim që do ta luftojë urinë në Jemen
Shtetet e Bashkuara thanë të premten se synojnë ta largojnë Lëvizjen Hoithi të Jemenit nga lista e organizatave terroriste për shkak të krizës humanitare që e ka kapluar atë vend, duke e zhbërë një nga vendimet më të kritikuara që u mor në momentet e fundit nga administrata e Trumpit.
Ky ndryshim i politikës, i konfirmuar nga një zyrtar i Departamentit të Shtetit, vjen një ditë pasi presidenti i ri, Joe Biden, e shpalli ndërprerjen e ndihmave ushtarake për fushatën e udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen, që po vlerësohet si konflikt mes Iranit dhe Arabisë Saudite.
“Veprimi ynë është tërësisht për shkak të pasojave humanitare të këtij vlerësimi të minutës së fundit nga administrata e kaluar, për të cilin Kombet e Bashkuara dhe organizatat humanitare kanë bërë të qartë se do ta përshpejtojë krizën më të rëndë humanitare në botë”, tha ky zyrtar.
“Ne e mirëpresim qëllimin e deklaruar nga administrata e ShBA-së për ta larguar vlerësimin “si organizatë terroriste ndaj Lëvizjes Houthi”, sepse kjo gjë do të ofrojë lehtësim të madh për miliona jemenas që varen nga asistenca humanitare dhe importet komerciale për t’i plotësuar nevojat e tyre themelore për mbijetesë”, tha zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Stephane Dujarric.
Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, e vendosi Lëvizjen Hoithi në listën e organizatave terroriste më 19 janar, vetëm një ditë para inaugurimit të Joe Bidenit si president i Shteteve të Bashkuara, shkruan Reuters.
Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite ndërhyri në Jemen në vitin 2015, duke i përkrahur forcat qeveritare që luftonin kundër rebelëve Houthi, të cilët kanë lidhje me Iranin. Zyrtarët e OKB-së po përpiqen të organizojnë bisedime të paqes në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit.