Edhe Prizreni fillon me gjoba për partitë, dënon me nga 2 mijë euro PDK-në dhe AAK-në
Drejtoria e Inspekcionit në Prizren ka dënuar PDK-së për thyerjen e masave anti-Covid, në tubimin e datës 2 shkurt.
Drejtori i Inspekcionit në Prizren, Edon Muqaj ka thënë se nuk do të rrinë duarkryq ndaj asnjë partie politike.
“Fatkeqësisht kemi njerëz që kanë humbur jetën nga COVID-19, biznese që kanë falimentuar si pasojë e ligjeve në fuqi andaj më nuk do të rrijmë duarkryq as ndaj subjekteve politike, cilidoqoftë ai subjekt. Ftoj të gjitha subjektet politike para se të mendojnë për marrjen e votës nga qytetarët të mendojnë edhe për jetën e tyre! Boll ma!”, ka thënë ai.
Ndërkaq, AAK-ja është dënuar për grumbullimin e njerëzve në hapjen e fushtës zgjedhore.
“Ruani shëndetin e qytetarëve të Prizrenit! Do të jemi të barabartë për çdo subjekt politik!”, ka thënë Muqaj.
Muqaj ka theksuar se të gjitha gjobat do të shqiptohen vetëm me daljen e inspektorëve në vendngjarje dhe jo me anë të fotografive, që gjithçka të jetë transparente edhe për subjektet politike.