Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë akuzohet se feu ushtrinë, s’kërkon falje
Një anëtar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Shërbimet e Armatosura i ka bërë thirrje sekretares për Medie në Shtëpinë e Bardhë, Jen Psaki, që menjëherë të kërkojë falje për një përgjigje që dha rreth Forcës së Hapësirës.
Përfaqësuesi republikan nga Alabama në këtë komision, Mike Rogers, e cilësoi fyerje përgjigjen e zyrtares së Shtëpisë së Bardhë ndaj pyetjes së një gazetari për të ardhmen e Forcës së Hapësirës gjatë pushtetit të administratës së Bidenit.
“Wow. Forca e Hapësirës. Është aeroplani i të sotmes”, tha Psaki në përgjigje, që u duk se e krahasonte pyetjen me një tjetër që kishte bërë një gazetar para dy javësh, kur kishte pyetur për skemën e ngjyrave të aeroplanit “Air Force One”, shkruan Fox News.
“Kjo është pyetje interesante. Me dëshirë do të kontrolloj me pikën tonë të kontaktit në Forcën e Hapësirës. Nuk jam e sigurt kush është (pikë kontakti). Do ta gjej dhe do të shoh nëse mund të plotësoj diçka për këtë”, tha ajo.
Forca e Hapësirës u miratua nga Kongresi në dhjetor të vitit 2019 si pjesë e ushtrisë amerikane dhe synon që t’i mbrojë interesat e veçanta të Shteteve të Bashkuara në hapësirë.
“Është shqetësuese të shohim se si sekretarja për medie e administratës së Bidenit përul në mënyrë flagrante një degë të tërë të ushtrisë sonë si vijë të fundit të një shakaje, e cila jam i sigurt se Kinës do t’i dukej qesharake”, tha Rogers përmes një deklarate.
“Jen Psaki duhet të kërkojë falje menjëherë para burrave dhe grave të Forcës së Hapësirës për këtë koment të turpshëm”, shtoi ai.