Erdogani godet LGBT-në, thotë se kryejnë “akte vandalizmi”
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, i ka kritikuar pjesëtarët e komunitetit LGBT në kohën kur në Stamboll po mbahen protesta nga disa studentë.
Presidenti turk këtë deklaratë e dha gjatë një video-konference për grupin rinor të partisë në pushtet AK Parti, të cilëve u tha: “Ju nuk jeni rini LGBT, nuk jeni rini që kryen akte të vandalizmit. Përkundrazi, ju jeni ata që i rregulloni zemrat e thyera.”
Në një fjalim tjetër në korrik të vitit të kaluar, Erdogani e akuzoi komunitetin LGBT për “rrezikim të vlerave kombëtare dhe shpirtërore” dhe “helmim” të rinisë, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Deklarata e tij e fundit erdhi pas protestave në Universitetin Bogazici për zgjedhjen e profesorit Melih Bulu në postin e rektorit. Aktivistët thonë se ai ka lidhje të ngushta me partinë e Erdoganit me rrënjë islamike.
Të premten, protestuesit e paraqitën para zyrës së rektorit një vizatim ku ishte paraqitur Qabja në Mekë, vend i shenjtë për myslimanët, dhe flamuri i komunitetit LGBT. Studentët që u arrestuan, nga policia – rreth 160 – u akuzuan për nxitje të urrejtjes.
Homoseksualizmi nuk është ilegal në Turqi, por kundërshtimi i komunitetit LGBT nga zyrtarët është shtuar viteve të fundit. “Parada e Krenarisë” në Stamboll është anuluar pesë vjet radhazi deri në vitin 2019, ndërsa më 2020 ishte e pamundur të mbahej për shkak të pandemisë.