Koronavirusi në Kosovë u merr jetën 18 mjekëve, mbi 1.180 të infektuar
Të infektuar në krye të detyrës 18 mjekë kanë vdekur dhe mbi 1000 të tjerë janë infektuar që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë.
Institucionet shëndetësore ende janë duke u përballur me pandeminë e koronavirusit. Mjekët po qëndrojnë në vijën e parë të frontit me këtë virus.
Që nga fillimi i pandemisë e deri më tani në vendin tonë kanë rezultuar mbi 60 mijë persona poztivë, e pa u infektuar nuk mbetën mjekët të cilët ishin të ballafaqur me pacitentët e prekur me COVID-19.
Nga Oda e Mjekëve të Kosove kanë bërë me dije se numri i stafit mjekësor është i lartë nga infektimi. Ata thonë se mjekët dhe stafi vazhdojnë të jenë të kërcënuar nga koronavirusi.
Sipas statistikave të tyre deri më tani kanë humbur jetën 18 mjekë kosovarë dhe janë infektuar 1 mijë e 118 mjekë të tjerë.
Zyrtarë nga Oda e Mjekëve të Kosovës kanë thënë për FaktePlus se të infektuar me COVID-19 janë mbi 3 mijë e 400 punëtorë shëndetësor.
“ Deri me datë 01 shkurt 2021 janë të infektuar me COVID-19 mbi 3400 punëtorë shëndetësor, ku 1180 prej tyre janë mjekë. 18 mjekë kanë vdekur si pasojë e infektimit me COVID-19, të cilët kanë qenë aktiv në dhënjen e shërbimeve shëndetësore”, thuhet në përgjigjen e zyrës për komunikim në Odën e Mjekëve.
Nga Oda e Mjekëve të Kosovës kanë bërë me dije po ashtu se fëmijët e punëtorëve shëndetësorë që kanë vdekur në krye të detyrës, do të kompensohen me 1 mijë euro. Tutje nga OMK theksojnë se është marrë iniciativa për ngritjen e obeliskut kushtuar punëtorëve shëndetësor për punën dhe angazhimin e tyre gjatë pandemisë.
“ Më datë 30 Korrik 2020, Këshilli Drejtues i OMK-së ka marrë Vendim që të dhurohen mjetet financiare të dedikuara për familjet e mjekëve që kanë vdekur si pasojë e infektimit me virusin COVID-19, në shumë prej 1,000.00 € për secilën familje, me të cilët Oda e Mjekëve është në kontakt të vazhdueshëm. Gjithashtu me iniciativë të Odës së Mjekëve të Kosovës me mbështetjen e odave tjera të profesionistëve shëndetësor është marr iniciativa për ngritjen e obeliskut kushtuar punëtorëve shëndetësor për punën dhe angazhimin e tyre gjatë pandemisë”, thuhet në përgjigjen e OMK-së për FaktePlus
Ndryshe në sektorin publik, paga mujore e mjekut është rreth 600 euro në muaj, derisa infermierët për punën e tyre paguhen me rreth 400 euro.
Rritja e pagave për punëtorët shëndetësorë ishte paraparë që të bëhej përmes Ligjit për paga. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se ky ligj kishte elemente jokushtetuese. Ky vendim i Kushtetueses u tha se do të demotivojë profesionistët shëndetësorë të Kosovës.
Megjithëkëtë rastet e para me koronavirus, Kosova i ka shënuar më 13 mars. Deri më tani numri total i rasteve pozitive është 60.745 raste nga 238.339 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.506 raste të vdekjes./FaktePlus