Moderna thotë se imuniteti që ofron vaksina e saj zgjat të paktën një vit
Kompania farmaceutike amerikane, Moderna, tha të hënën se imuniteti që ofron vaksina e saj kundër koronavirusit zgjat të paktën një vit.
Zyrtarët e kësaj kompanie shfaqën besim se teknologjia mRNA, e cila është përdorur për prodhimin e vaksinës kundër Covid-19, përshtatet mirë për krijimin e një vaksine kundër variantit të ri të koronavirusit, që është përhapur më shumë në Britani.
Kjo kompani tha se pret që të shpërndajë nga 600 milionë deri në 1 miliard doza të vaksinës gjatë këtij viti, ndërsa pret të bëjë shitje prej 11.7 miliardë dollarësh, duke u mbështetur në marrëveshjet e nënshkruara me qeveritë e shteteve.
“Ekipi ndihet shumë rehat me ecurinë që kemi tani. Jemi në rrugë që të shpërndajmë së paku 600 milionë doza”, tha shefi ekzekutiv i kompanisë Moderna, SDtephane Bancel.
Në dhjetor, kompania tha se do të kryejë testime për ta konfirmuar efektin e vaksinës së saj kundër cilitdo variant të virusit, shkruan The Guardian.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara kanë miratuar vaksinën e Moderna-s dhe Pfizer-it kundër koronavirusit. Ky shtet ka më së shumti të vdekur dhe të infektuar me koronavirus në tërë botën dhe ditëve të fundit ka shënuar rekorde shqetësuese të shifrave.