Shpërthimi i ri Covid në Kinë fut miliona banorë në izolim: Epiqendra nuk është Wuhani
11 milionë banorë janë futur në izolim pas shpërthimit të koronavirusit në qytetin verior të Shijiazhuang. Ky vendim bllokimi erdhi pas zbulimit të më shumë se 100 rasteve të reja me të infektuar. Banorët janë urdhëruar të mos largohen nga qyteti ndërsa shkollat janë mbyllur.
Më shumë se 5000 qendra testimi janë ngritur në mënyrë që çdo banor të mund të testohet.Shifrat e reja janë më të lartat që Kina ka parë në më shumë se pesë muaj. Vendi ka qenë në gjendje të përmbajë shpërthime të tilla duke ndërmarrë veprime dhe me masa të ashpra.
Kjo ka përfshirë përdorimin e vazhdueshëm të testimit masiv kur shfaqen grupe të reja të rasteve, edhe nëse duken relativisht të vogla. Provinca Hebei, ku ndodhet Shijiazhuang, raportoi 120 raste të reja sot.
Virusi u zbulua për herë të parë në qytetin kinez të Wuhan në fund të vitit 2019 para se të shkaktonte një pandemi globale.
Ndalimi i lëvizjes vjen vetëm disa javë para Vitit të Ri Kinez, një kohë kur njerëzit në Kinë udhëtojnë masivisht për të kaluar pushimet me familjet e tyre.
Por banorët në rrethin Gaocheng të Shijiazhuang, të konsideruar si epiqendra e shpërthimit, nuk do lejohen të largohen nga zona e tyre lokale. Banorëve të tjerë u ndalohet të largohen nga qyteti.
Për sa i përket transportit, udhëtimi me autobus është ndaluar dhe shumë fluturime janë anuluar. Edhe shërbimi postar brenda dhe jashtë Shijiazhuang është pezulluar për tre ditë.
Nuk është hera e parë që Kina mbyll një qytet në përgjigje të një grupi rastesh që nga shpërthimi në Wuhan.
Në tetor, të nëntë milion banorët e qytetit kinez Qingdao u testuan në pesë ditë pasi u konfirmuan dhjetëra raste. Rastet ishin të lidhura me një spital që trajtonte pacientë me koronavirus që mbërrinin nga jashtë.
Në të njëjtin muaj, autoritetet në Kashgar, në Xinjiang, testuan rreth 4.7 milion njerëz pas shpërthimit atje.