Donald Trumpit i bllokohen llogaritë në rrjetet sociale
Llogaritë e Donald Trump në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram janë bllokuar për një kohë të pacaktuar, së paku derisa ta lirojë postin e presidentit.
Ky vendim nga ana e themeluesit të mediave sociale, Mark Zuckerberg erdhi pas protestave të dhunshme në Uanshington. Sipas tij, rreziku i lejimit të përdorimit të shërbimeve të Facebookut dhe Instagramit nga ana e Trumpit gjatë kësaj periudhe është shumë i lartë.
Zuckerberg ka shkruar se ngjarjet e 24 orëve të fundit kanë shfaqur qartë se presidenti Trump përpiqet të shfrytëzojë kohën që i ka mbetur në zyrë të pengojë kalimin e ligjshëm dhe paqësor të pushtetit te pasardhësi i tij, Joe Biden.
“Ne besojmë që rreziqet që presidenti të lejohet të vazhdojë përdorimin e shërbimeve tona gjatë kësaj periudhë janë thjeshtë shumë të larta. Për këtë arsye, ne do ta zgjasim bllokimin që kemi vënë në llogaritë e tij në Facebook dhe Instagram për një kohë të pacaktuar dhe për së paku dy javët e ardhshme deri sa kalimi paqësor i pushtetit të përfundojë”, ka shkruar themeluesi i Facebook-ut.
Më 6 janar, teksa nisi punimet Kongresi amerikan, protestues të dhunshëm, mbështetës të Trumpit, hynë në ambientet e Kongresit. Autoritetet thanë se gjatë protestave të dhunshme kanë vdekur katër persona.
Pasi nga Kongresi u larguan protestuesit, ligjvënësit certifikuan fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet e 3 nëntorit të vitit 2020.