Ekipit të OBSH-së i ndalohet hyrja në Kinë për të studiuar origjinën e koronavirusit
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se Kina ka bllokuar hyrjen e një ekipi që heton origjinën e pandemisë së koronavirusit.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se dy shkencëtarë në ekipin e Kombeve të Bashkuara tashmë ishin larguar nga vendet e tyre për në Wuhan kur u tha që zyrtarët kinezë nuk kishin miratuar lejet e nevojshme për të hyrë në vend, shkruan CNN.
“Unë jam shumë i zhgënjyer me këtë lajm,” tha Tedros në një konferencë shtypi në Gjenevë të Martën.
“Unë kam qenë në kontakt me zyrtarë të lartë kinezë dhe e kam bërë edhe një herë të qartë se misioni është një përparësi për OBSH dhe ekipin ndërkombëtar.”
Tedros tha se OBSH ishte “e etur për të filluar misionin sa më shpejt të jetë e mundur” dhe se atij i ishin dhënë siguri se Pekini po shpejtonte procedurën e brendshme për “vendosjen sa më të hershme të mundshme”.
Dr. Michael Ryan, drejtori ekzekutiv i programit të urgjencave shëndetësore të OBSH-së tha se kishte një problem me vizat dhe një anëtar i ekipit ishte kthyer tashmë në shtëpi. Tjetri po priste në tranzit në një vend të tretë.
Zyrtarët e OBSH-së kanë kohë që kanë negociuar me Pekinin për të lejuar një ekip shkencëtarësh globalë hyrje në vendet kryesore për të hetuar origjinën e virusit – zbuluar së pari në Wuhan në dhjetor 2019 – dhe kërcimin e tij të mundshëm nga një specie pritëse e paidentifikuar tek njerëzit.
Në maj, OBSH pranoi të mbajë një hetim në përgjigjen globale të pandemisë pasi më shumë se 100 vende nënshkruan një rezolutë që kërkon një hetim të pavarur.