Ku dallojnë vaksinat e AstraZenecas dhe Pfizerit?
Më 30 dhjetor, 2020, Britania u bë shteti i parë që miratoi për përdorim vaksinën kundër koronavirusit të kompanisë AstraZeneca dhe Universitetit të Oxford-it – duke shtuar edhe një armë në arsenalin e këtij vendi, në luftën kundër pandemisë, shkruan agjencia e lajmeve Reuters.
Megjithatë, shkencëtarët – si dhe rregullatorët e barnave në Evropë – janë skeptikë, për shkak të konfuzionit të shkaktuar nga rezultatet e studimit të vaksinës të prodhuar nga AstraZeneca që bëri që ekspertët të kishin dyshime mbi të dhënat e publikuara.
Sa është efektive vaksina e AstraZeneca/Oxford?
Efikasiteti i vaksinës AstraZeneca/Oxford në parandalimin e infeksioneve simptomatike ishte 70.4 për qind, krahasuar me 95 për qind efikasitet që është thënë se ka doza e vaksinës së Pfizer/BioNTech dhe vaksinave të tjera të miratuara për përdorim në Britani.
Pas miratimit, autoritetet në Britani thanë se një dozë e vaksinës së AstraZenecas ishte 52.7 për qind efektive, edhe pse këshilluesi mjekësor i Britanisë tha se një dozë e vaksinës së kësaj kompanie, pas tre javësh duhet të tregojë 70 për qind efektivitet.
Rregullatori britanik rekomandon që doza e dytë të merret katër deri në 12 javë pas dozës së parë sepse rreth 80 për qind efektivitet i vaksinës u arrit me një diferencë kohore prej tre muajsh nga doza e parë te e dyta, tha një zyrtar që ka qenë i përfshirë në miratimin e vaksinës.
Vaksina është miratuar nga Agjencia rregullative e Barnave dhe Produkteve Mjekësore e Mbretërisë së Bashkuar.
Konfuzioni rreth efikasitetit të vaksinës erdhi pasi në fund të nëntorit të vitit të kaluar, kompania farmaceutike AstraZeneca pranoi se disa njerëz gjatë provave klinike, aksidentalisht kishin marrë doza të ndryshme.
Ata që morën fillimisht gjysmë dozë të vaksinës, pasuar nga një dozë e plotë, kishin treguar se vaksina kishte efekt të mbrojtjes deri në 90 për qind, tha fillimisht kjo kompani. Ndërkaq, personat që kishin marrë dy doza të plota të vaksinës, ajo kishte ofruar vetëm 62 për qind mbrojtje nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi.
Megjithatë, Agjencia britanike e Barnave tha se rezultatet e personave që morën pjesë në studim dhe që iu administrua vetëm gjysmë dozë e vaksinës, nuk u morën parasysh gjatë analizave.
“E gjithë kjo është edhe më konfuze sepse realisht janë bërë gabime”, tha për Retuers një zyrtar nga Agjencia Evropiane e Barnave.
“Gabime që rezultuan në të dhënat klinike janë më komplekse për t’u interpretuar sesa ato të (kompanive) Moderna dhe Pfizer. Dhe mbi të gjitha, efikasiteti (i vaksinës së AstraZenecas) është më i ulët”, shtoi ky zyrtar.
Cilat janë dallimet e tjera?
Teknologjia, çmimi dhe ruajtja.
Vaksina e AstraZenecas është “vaksinë e vektorit viral”, ku një virus i dizajnuar për shimpanzetë që të marrin gripin e zakonshëm, i jep udhëzime qelizave të njerëzve të që bëjnë që proteinat të dalin nga sipërfaqja e koronavirusit të ri.
Vaksinat e prodhuara nga Pfizer/BioNTech dhe Moderna përdorin një teknologji të re, mRNA, që bën që acidi ribonukleik (ARN) të futet brenda pikëzave të yndyrës dhe instrukton qelizat që të krijojnë proteina.
AstraZeneca ka thënë se dozat e vaksinës do të kushtojnë vetëm disa dollarë dhe do të shiten pa përfitim, ndërkaq një dozë e vaksinës së Pfizerit kushton 18.40 dollarë -19.50 dollarë .
Të dhënat ‘shqetësuese’ të vaksinës së kompanisë AstraZeneca
Edhe vaksina e Modernas që është krijuar me teknologjinë mRNA është miratuar për përdorim në shtetet e Bashkuara dhe kushton 37 dollarë.
Dozat e vaksinës së AstraZenecas nuk kërkojnë që të ruhen në temperatura shumë të ftohta deri në -70 gradë Celsius, ashtu siç kërkohen të ruhen vaksinat e prodhuara me teknologjinë mRNA nga kompania amerikane Pfizer dhe partneri i tij gjerman BioNTech.
Edhe vaksina e Modernas që është krijuar me teknologjinë mRNA është miratuar për përdorim në shtetet e Bashkuara dhe kushton 37 dollarë.
Dozat e vaksinës së AstraZenecas nuk kërkojnë që të ruhen në temperatura shumë të ftohta deri në -70 gradë Celsius, ashtu siç kërkohen të ruhen vaksinat e prodhuara me teknologjinë mRNA nga kompania amerikane Pfizer dhe partneri i tij gjerman BioNTech.
AstraZeneca tashmë ka prodhuar miliona doza të vaksinës. Ato mund të ruhen në frigoriferë standard deri në gjashtë muaj.
Kjo vaksinë po ashtu është më e lirë për t’u prodhuar, duke rritur shpresat për vendet në zhvillim që ende nuk kanë arritur të sigurojnë vaksinat.
A do të miratohet vaksina edhe në shtetet e tjera?
Kur Britania miratoi për përdorim vaksinën e Pfizer/BioNTech në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, kjo bëri që shumë rregullatorë, përfshirë ata në Shtetet e Bashkuara dhe BE të bëjnë të njëjtën gjë.
SHBA-ja ka miratuar edhe vaksinën e Modernas, që është krijuar po ashtu me teknologjinë mRNA. Vaksinat me këtë teknologji përpunojnë kodin gjenetik të virusit.
Vendimi i Britanisë për të miratuar vaksinën e AstraZenecas ka si prioritet vaksinimin e më shumë personave sa më shpejt që të jetë e mundur, përpara se të gjitha përgjigjet lidhur me efikasitetin të jenë në dispozicion.
“Miratimi emergjent nënkupton marrjen e rreziqeve të një efikasiteti më të ulët apo më të shkurtër sesa që mund të arrihet me vaksinat me teknologjinë mRNA”, thotë Claire-Anne Siegrist, që drejton departamentin e vaksinologjisë dhe imunologjisë në Spitalin Universitar të Gjenevës.
Përderisa zyrtarët e Agjencisë Evropiane të Barnave thanë se ka pak gjasa që vaksina e AstraZenecas të miratohet deri në fund të janarit, një zyrtar gjerman për vaksina tha se pret që Evropa të “marrë vendim të shpejt” lidhur me miratimin e kësaj vaksine.
Edhe India e ka miratuar më 2 janar vaksinën e AstraZeneca/Oxford.
Shërbimi Kombëtar i Shëndetit në Angli nuk do t’i japë mundësi njerëzve që ta zgjedhin vaksinën që do t’iu administrohet kundër koronavirusit.
Por, teksa disa vaksina tashmë janë të qasshme, shtetet duhet të vendosin se kush duhet ta marrë cilën vaksinë, pasi që disa njerëz mund të preferojnë që t’iu administrohet vaksina që ka më shumë efikasitet.
Ekspertët thonë se dallimet në nivelin e efikasitetit janë të rëndësishme, gjë që sipas tyre, do të bëjë që zgjedhja se cila vaksinë të përdoret të jetë e vështirë.
“Në shtetet ku vaksinat edhe me teknologjinë mRNA dhe të AstraZenecas do të jenë të qasshme, kush do të vendosë që një grupi shoqëror t’i administrohet vaksina më pak efektive?”, shprehet Sigrist.
Thomas Mertenes, udhëheqës i Komitetit të Përhershëm të Vaksinave (STIKO), panel në Gjermani që mbikëqyrë përdorimin e vaksinave, i tha Reuters se ky institucion planifikon që ta shqyrtojë këtë çështje “në një të ardhme të afërt”, pasi shpresojnë që të hartojnë një strategji që do të ketë ndikim më të madh me furnizime të kufizuara të vaksinave.
Megjithatë, disa ekspertë thonë se zgjedhja se cilën vaksinë ta përdorin është një luks që shtetet nuk mund ta përballojnë.
“Në këto momente, ne nuk kemi sasi të mjaftueshme të vaksinave për të gjithë personat që kanë nevojë për to”, tha Thomas Klimkait, profesor në Uniersitetin e Bazelit, njëherësh hulumtues që po punon në një projekt të Zvicrës për vaksinën kundër koronavirusit të ri.
“Do të thosha se në këtë moment, çdo vaksinë që ka një efektivitet relativisht të mirë, do të thotë 60 apo 70 për qind efektivitet – duhet të përdoret, pasi të jetë verifikuar siguria e saj”, tha ai./rel/