Vit “i zi”: mbi 50 për qind më pak fluturime, por më shumë viktima
Numri i personave të vdekur nga aksidentet ajrore të aeroplanëve të mëdhenj komercialë gjatë vitit 2020 shënoi rritje dhe shkoi në 299, pavarësisht që numri i fluturimeve ishte mbi 50 për qind më i ulët në krahasim me vitin paraprak, bëri të ditur një kompani holandeze.
Kompania këshilluese “To70” tha se gjatë vitit që e lamë pas ndodhën 40 aksidente ajrore të aeroplanëve të mëdhenj komercialë, pesë prej të cilave ishin fatale, duke rezultuar në 299 viktima, shkruan Reuters.
Gjatë vitit 2019 ishin shënuar më shumë aksidente, 86, tetë prej të cilave ishin fatale, por në to kishin mbetur më pak persona të vdekur – 257.
Aeroplanët e mëdhënj komercial patën mesatarisht 0.27 aksidente fatale në një milion fluturime gjatë vitit 2020 ose një aksident fatal në çdo 3.7 milionë fluturime. Kjo mesatare është më e lartë se mesatarja e vitit 2019, që ishte 0.18 aksidente fatale për një milion fluturime.
Zvogëlimi i numrit të aksidenteve erdhi si rezultat i pakësimit të konsiderueshëm të numrit të fluturimeve për shkak të pandemisë së koronavirusit, e cila u përhap në tërë botën brenda një kohe të shkurtër.
Më shumë se gjysma e viktimave të aksidenteve ajrore të vitit të kaluar ishin pasagjerë të një aeroplani ukrainas, i cili u rrëzua në Iran pasi ishte sulmuar gabimisht nga forcat ajrore të këtij shteti. Në këtë incident mbetën të vdekur 176 persona.
Aksidenti i dytë më i madh ajror gjatë vitit të kaluar ishte rrëzimi i një aeroplani pakistanez në muajin maj. Në atë rast vdiqën 98 njerëz.