Rusia e varros me nderime të larta spiunin britanik që e tradhtoi vendin e vet
Spiuni famëkeq britanik, i cili e kishte tradhtuar atdheun e tij, George Blake, u varros me nderime të larta ushtarake në Moskë pasi vdiq në moshën 98-vjeçare.
Blake u varros në varrezat Troyekurovskoye në Moskën perëndimore. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i cili dikur shërbente si zyrtar i shërbimit sekret, KGB, shprehu ngushëllime për vdekjen e tradhtarit britanik në fundjavë, duke e quajtur atë profesionist të jashtëzakonshëm.
Autoritetet britanike kanë thënë se ky person ua ka publikuar identitetin qindra agjentëve perëndimorë në Evropën Lindore në vitet e pesëdhjeta, disa prej të cilëve janë ekzekutuar si rezultat i tradhtisë së tij, shkruan Reuters.
Ai ishte dënuar me 42 vjet burgim në Britani pasi ishte zbuluar se është spiun i Bashkimit Sovjetik më 1961, por kishte arritur të ikte nga burgu dhe të shkonte në Bashkimin Sovjetik, ku siguroi mbrojtje.
Në një intervistë të vitit 1991, ai për agjencinë Reuters kishte thënë: “Besoja se komunizmi ishte ideal, i cili, nëse do të mund të arrihej, do t’ia vlente. Mendoja se mund të bëhej dhe e bëra atë që munda për të ndihmuar, për të ndërtuar një shoqëri të tillë. Nuk doli të jetë e mundshme, por mendoj se është ide fisnike dhe mendoj se njerëzimi do t’i kthehet atij (idealit të komunizmit).”