Pas Shtëpisë së Bardhë, Trumpi përballet me të ardhme të paqartë e sfidave ligjore
Washington, dhjetor (Reuters) – Presidenti Donald Trump do të largohet nga Shtëpia e Bardhë, por nuk do të venitet shumë shpejt nga sytë e publikut.
Pasi që dështoi në përpjekjet ligjore për ta zhbërë disfatën e tij në zgjedhjet e 3 nëntorit karshi demokratit Joe Biden, i cili të hënën e shkuar e fitoi votën shtet më shtet të Kolegjit Elektoral, gjë që e konfirmoi atë si president të ardhshëm, Trumpi do t’i rikthehet jetës private më 20 janar, duke pasur përpara vetes një gamë të gjerë mundësish.
Mes tyre përfshihet një tjetër garë për Shtëpinë e Bardhë më 2024, apo paraqitjet e reja në media. Por, të gjitha këto alternativa janë të mbërthyera në petkun e mjegullës së rrezikut potencial ligjor dhe sfidave afariste.
Vetëm një gjë është e sigurt: etja e Trumpit për të qenë në qendër të vëmendjes do të garantojë që ai të mos ecën hapave të presidentëve të mëparshëm, si George W. Bush, që zgjodhi heshtazi të merret me pikturë, apo Jimmy Carteri që iu qep aktivizmit global.
E ardhme e zhurmshme
E ardhmja e Trumpit, sikurse vetë presidenca e tij, ka shumë të ngjarë që të jetë e zhurmshme, e stuhishme dhe me shumë bujë. Mund edhe të mos jetë krejtësisht e vënë nën kontroll.
Ai ballafaqohet me një sërë procesesh ligjore civile e kriminale lidhur me bizneset e familjes dhe aktivitetet e tij para se ta merrte detyrën e presidentit. E këto mund të përshpejtohen që në momentin kur ai ta humbë mbrojtjen ligjore që ia garantonte angazhimi në Zyrën Ovale.
Magnati i patundshmërive, që qe bërë edhe yll televiziv, është duke i shqyrtuar manovrat e shumëfishta për të mbetur në epiqendër të vëmendjes.
Trumpi, i cili kishte refuzuar ta pranonte disfatën zgjedhore dhe ka vazhduar të bëjë pretendime të paqëndrueshme për mashtrime të gjithmbarshme me vota, u ka thënë aleatëve se është duke e shqyrtuar mundësinë e kandidimit të sërishëm për Shtëpinë e Bardhë.
Ai madje e ka diskutuar mundësinë që të mos marrë pjesë në inaugurimin e Bidenit dhe ta shpallë kandidimin e tij për vitin 2024 që atë ditë, një veprim ky që do t’ia lejonte vazhdimin e mbajtjes së tubimeve të tij të ashpra për fushatë, sikurse në vitet 2016 dhe 2020.
Kjo gjë do t’ua komplikonte jetët një numri të madh të republikanëve të tjerë që po e shqyrtojnë kandidimin për vitin 2024 – përfshirë nënpresidentin Mike Pence, ish-ambasadoren amerikane në OKB, Nikki Haley, dhe senatorët Marco Rubio e Tom Cotton – të cilët do të duhej të peshonin nëse të rreshtoheshin prapa Trumpit apo jo.
Por, ky do të ishte një veprim që i thyen të gjitha normat. Kushtetuta amerikane ua lejon presidentëve që të zgjidhen në detyrë dy herë dhe mandatet nuk duhet të jenë të njëpasnjëshme.
Grover Cleveland është i vetmi president amerikan që ka shërbyer për dy mandate jo të njëpasnjëshme. Ai e braktisi Shtëpinë e Bardhë më 1889, pasi ishte mposhtur në betejën për rizgjedhje, dhe u kthye sërish më 1893.
Trumpi tanimë e ka krijuar një komitet të veprimit politik, i cili do t’ia mundësonte gjenerimin e parave dhe ushtrimin e ndikimit në parti pasi të largohet nga posti, pa marrë parasysh nëse bëhet kandidat apo jo.
Dëshira e tij për ta ruajtur ndikimin politik ishte shpërfaqur gjithashtu me mbështetjen e dhënë për një mandat të ri aleates së afërt Ronna McDaniel në krye të Komitetit Kombëtar Republikan. Anëtarët e Komitetit do të votojnë në fund të janarit nëse ta mbajnë apo jo McDanielin si shefe, në atë që përkon me test të ri për fuqinë e Trumpit dhe për gatishmërinë e republikanëve për ta nënshtruar partinë karshi dëshirave të tij.
Rikthimi në ekranet televizive?
Si një yll i dikurshëm i shout televiziv “The Apprentice”, Trumpi i ka shqyrtuar edhe disa mundësi për angazhime të reja mediatike me qëllim të mbetjes në vëmendje, kanë thënë këshilltarët e tij. Në këtë mes përfshihet edhe hapja e një kanali televiziv apo e një kompanie të medias sociale me qëllim të luftimit të atyre që mendoi se e kishin tradhtuar.
Kanali i ri televiziv do ta rivalizonte “Fox News”-in, aleatin e afërt të Trumpit që e kishte nxitur zemërimin e tij që prej zgjedhjeve, ngase nuk ishte treguar mjaftueshëm mbështetës. Ndihmësit e përshkruan Trumpin të ishte zemëruar veçmas fort kur “Fox News”-i mori vendim që ta shpallte rezultatin e shtetit të Arizonas në favor të Bidenit, kurse punët nuk ishin ende krejtësisht të qarta.
Bideni në fund fitoi në Arizona, por shumica e rrjeteve të tjera nuk e paraqitën rezultatin konkret edhe disa ditë më pas.
Trumpi mund edhe të bashkëpunojë me rrjetet ekzistuese, konservatore kabllore si “One America News Network” apo “Newsmax”, të cilat ishin përqendruar fuqishëm në portretizimin pozitiv të Trumpit.
Trumpi e ka shqyrtuar me këshilltarët e tij edhe një plan për ta hapur një kompani të medies sociale për të konkurruar me “Twitter Inc”-në, i cili vazhdimisht kishte adresuar mesazhe paralajmëruese ndaj postimeve të tij lidhur me pretendimet e paqëndrueshme për mashtrime zgjedhore. Mirëpo, Trumpi ballafaqohet me sfida të numërta financiare. Revista “Forbes” kishte vlerësuar në shtator se vlera neto e pasurisë së Trumpit kishte rënë për përafërsisht 600 milionë dollarë krahasuar me një vit më parë, për të mbërritur në 2.5 miliardë dollarë. “The New York Times” ka raportuar se Trumpi personalisht kishte garantuar për borxhin 421 milionë dollarësh të kompanive të tij.
Rreziku ligjor
Kur të largohet nga detyra, Trumpi do të duhet që të përballet edhe me disa procese ligjore të cilat kanë fituar përmasa përherë më të rrezikshme shkaku i humbjes së të drejtës për mbrojtje ligjore të garantuar nga posti presidencial.
Gjykatësi i gjykatës së Qarkut në Manhattan, Cyrus Vance, ka nisur hetime penale ndaj Trumpit dhe kompanisë së tij familjare, Trump Organization. Hetimi fillimisht ishte përqendruar në pagesat e ryshfetit, para zgjedhjeve të 2016-s, të cilat iu bënë dy grave që pretenduan të kenë pasur marrëdhënie seksuale me Trumpin, por të cilat presidenti i hodhi poshtë.
Por, Vance, ndryshe një demokrat, ka sugjeruar se hetimet tanimë janë zgjeruar dhe mund të përqendrohen edhe në mashtrimet bankare, tatimore dhe të sigurimit, si dhe në falsifikimin e të dhënave afariste. Trumpi e ka cilësuar rastin si ngacmim politikisht të motivuar.
Prokurorja e Përgjithshme e New Yorkut, Letitia James, po ashtu demokrate, ka të ngritur një rast aktiv për hetimin e mashtrimeve tatimore ndaj Trumpit dhe kompanisë së tij, i cili ishte nisur pasi që avokati i dikurshëm i presidentit, Michael Cohen, kishte njoftuar kongresin se Trumpi ka fryrë vlerën e aseteve për të kursyer para për hua dhe sigurime, si dhe se i kishte zhvlerësuar ato me qëllim të uljes së taksave në patundshmëri.
Organizata Trump ka argumentuar se edhe ky rast është politikisht i motivuar. Hetimet janë civile, që do të thotë se mund të rezultojnë me penallti financiare, por jo edhe me burgim.
Trumpi ballafaqohet edhe me procese të ndara gjyqësore për shpifje lidhur me sulmet e pretenduara seksuale, por të cilat ai vetë i ka hedhur poshtë, të ngritura nga dy gra – E. Jean Carroll, ish-gazetare e revistës “Elle”, dhe Summer Zervos, konkurrente e “The Apprentice” më 2005.
Mary Trump, mbesa e presidentit, ka paraqitur po ashtu një proces gjyqësor ndaj tij, duke e akuzuar atë personalisht por edhe dy anëtarë të tjerë të familjes për mashtrime dhe konspiracion, me qëllim që ta privonin atë nga hisja në perandorinë familjare të patundshmërive. Trumpi mund të përballet edhe me një persekutim kriminal, të ngritur nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, për akuza të evazionit tatimor. “The New York Times” ka raportuar kohë më parë se Trumpi pagoi vetëm 750 dollarë taksa federale për të ardhurat e viteve 2016 dhe 2017.
Presidenti i ka hedhur poshtë gjetjet e gazetës dhe nuk është e qartë nëse ai përnjëmend ka shkelur ligjin. Gjasat për përndjekje ligjore do të jenë të diskutueshme; Bideni është treguar i matur për sa i përket çështjes dhe ka vënë në pikëpyetje vlerën e një persekutimi të tillë, por ka thënë se nuk do të ndërhyjë në gjykimin e Departamentit të Drejtësisë.