Rusia teston raketa balistike, aktivizohet alarmi në bazën amerikane në Gjermani
Ushtrimet e ushtrisë ruse e kanë nxitur aktivizimin e alarmit në një bazë të ushtrisë amerikane në Gjermani të shtunën. Ky alarm aktivizizohet kur vërehen gjurmët e rrezeve infra të kuqe të raketave balistike.
Paralajmërimi i aktivizuar në bazën ajrore “Ramstein” shkaktoi paqartësi dhe alarm derisa u vërtetua se nuk ka ndonjë rrezik të vërtetë, thanë zyrtarët.
Vlerësimi fillestar është që alarmi për raketa mund të jetë aktivizuar kur satelitët e inteligjencës amerikane kanë vërejtur lëshim rakete.
Nga satelitët sekretë të ushtrisë amerikane, të cilët i përcjellin gjurmët e rrezeve infra të kuqe të raketave balistike, u zbulua se një nëndetëse ruse ka hedhur katër raketa ndërkontinentale nga Deti Ohotsk, shkruan CNN.
Alarmi në Gjermani u aktivizua disa momente më vonë. Në një deklaratë të ushtrisë amerikane në Evropë konfirmohet incidenti në bazën “Ramstein”, ku personeli mori njoftime të kompjuterizuara. Alarmi për raketa gjithashtu është aktivizuar edhe në sistemin e zërimit të lartë me altroparlantë.
“Lëshimi i raketës ka qenë pjesë e një ushtrimi trajnues rajonal dhe brenda minutave qendra e kontrollit i ndoqi procedurat e duhura duke i ofruar njoftimet e duhura. Ne vazhdimisht dhe në mënyrë rutinore vëzhgojmë për ndonjë kërcënim ndaj forcave tona dhe aleatëve tanë”, thuhet në deklaratën e Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara për Evropën.
Në këtë deklaratë nuk u përmend lëshimi i raketave ruse, por disa zyrtarë të mbrojtjes konfirmuan për televizionin CNN se kjo gjë ka ndodhur. Një zyrtar tha se rusët kishin lëshuar njoftim për pilotët për disa ditë, duke paralajmëruar që të qëndrohet jashtë një zone specifike për shkak të aktivitetit ushtarak.