Para 22 viteve serbët shuan dashurinë mes Lules e Luanit, ushtarëve të UÇK- së që ranë dëshmorë në Betejën e Pashtrikut
Më 14 dhjetor 1998, brigadës së Mujë Krasniqit që po kthehej nga Shqipëria, i doli në pritë ushtria serbe. Në këtë dyluftim, vdiqën 42 pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mes tyre edhe komandant Mujë Krasniqi.
Me rënien e 42 ushtarëve, u shua edhe një histori dashurie mes dy të rinjëve të cilët nuk arritën ta kurorëzojnë dashurinë e tyre.
Luljeta Shala nga Krajkova e Drenasit dhe Hysen Bujupaj nga Istogu u fejuan në kohë lufte me shpresën që dasmën ta bëjnë në kohë paqeje. Në fakt historia e tyre përfundoi në vendin që tash quhet “Te Likenet e Hasit” në Gorozhup të Pashtrikut.
Luljeta asokohe ishte vetëm 21 vjeçe dhe sipas familjarëve të saj, vendimin që t’i bashkohej luftës së UCK- së e motivuan historitë e suksesshme të grave shqiptare si Shotë Galica, Zahide Jashari e Xhevë Krasniqi- Lladrovci.
Hysen Bujupaj, me nofkën Luani, ishte nga Istogu dhe bashkë me Lulen natën mes 13 dhe 14 dhjetorit po bartnin armë nga Shqipëria për t’i sjellë në frontet e luftës në Kosovë.
Përkundër sulmeve të mëdha me të cilat u përballën, Lulja me Luanin e bashkëluftëtarët e tjerë, vendosën të rezistojnë, njëjtë siç bënte e gjithë Ushtria Çlirimtare në frontet e saj.
Mirëpo, kjo betejë përfundoi me minus 42 ushtarë guximtarë për UÇK- në, e mbi të gjitha pa një nga komandatët më të zotë që kishte ajo, Mujë Krasniqin.
Tash, në mungesë të Lules e Luanit, dy familjet e tyre e vizitojnë njëri- tjetrin në çdo përvjetor, duke derdhur lot krenarie dhe duke i kujtuar me mall./FaktePlus/