Tre të vrarë në dy sulme të ndara në Afganistan
Policia afgane tha se të paktën tre njerëz u vranë në dy sulme të ndara me bomba dhe armë në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul. Dhuna ndodhi një ditë pasi një seri sulmesh me predha goditën qytetin dhe aeroportin e tij, duke vrarë të paktën një person.
Ferdaws Faramarz, një zëdhënës i policisë në Kabul, tha se në njërin sulm, një bombë e vendosur në makinë, vrau dy persona dhe plagosi dy të tjerë. Ndërsa në sulmin tjetër, një prokuror qeveritar u qëllua për vdekje në Kabulin lindor ndërsa udhëtonte për në zyrën e tij. Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmet.
Ndërkohë, në qytetin jugor të Kandaharit, zyrtarët thanë se dhjetëra luftëtarë talibanë u vranë gjatë natës më 13 dhjetor. Militantët talibanë sulmuan pikat e kontrollit në pesë rajone përreth qytetit, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë. Si kundërpërgjigje forcat afgane ndërmorrën sulme ajrore dhe tokësore.
Dhuna në Afganistan është rritur në muajt e fundit edhe pse talibanët dhe negociatorët e qeverisë afgane po përpiqen të arrijnë një marrëveshje paqeje që mund t’i japë fund dekadave të luftës.
Talibanët ndërkohë po luftojnë edhe kundër grupeve terroriste, përfshirë Shtetin Islamik.
Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje për të përfunduar planet për tërheqjen e mijëra trupave nga vendi.