OBSh-ja akuzohet për fshehjen e raportit për keqmenaxhimin e pandemisë nga Italia
Organizata Botërore e Shëndetësisë është akuzuar se ka bashkëpunuar me Ministrinë e Shëndetësisë së Italisë për ta larguar një raport me të cilin zbulohej keqmenaxhimi i situatës në fillimin e pandemisë. Publikimi i këtij raporti e kishte për qëllim parandalimin e vdekjeve në muajt pasues.
Italia ishte shteti i parë evropian që u kaplua nga pandemia. Raporti i hartuar nga shkencëtari i OBSh-së, Francesco Zambon, dhe dhjetë kolegë të tij nga pjesë të ndryshme të Evropës, ishte financuar nga Qeveria e Kuvajtit me qëllim të ofrimit të informacioneve për shtetet që nuk janë prekur ende.
I quajtur “Një sfidë e pashembullt: Reagimi i parë i Italisë ndaj Covid-19”, dokumenti ishte publikuar në uebfaqen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë më 13 maj para se të largohej vetëm një ditë më pas, shkruan The Guardian.
Në dokumentin me 102 faqe thuhet se plani i Italisë kundër pandemive nuk është plotësuar që nga viti 2006 dhe se, për shkak të mungesës së përgatitjeve, reagimi fillestar nga spitalet ishte i improvizuar, kaotik dhe kreativ. Në raport më tej thuhet se është nevojitur kohë që mjekët të kenë qasje në udhëzime zyrtare.
Dyshohet se raporti është larguar nga faqja me kërkesën e Ranieri Guerras, asistent i drejtorit të përgjithshëm të OBSh-së për nisma strategjike. Guerra kishte shërbyer si drejtor i përgjithshëm për shëndetësi parandaluese në Ministrinë e Shëndetësisë së Italisë nga viti 2014 deri më 2017 dhe prandaj ka qenë përgjegjës për përditësimin e planit kundër pandemive sipas udhëzimeve të reja të vendosura nga OBSh-ja dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve. Ai gjithashtu është pjesë e shkencëtarëve të task-forcës së Qeverisë së Italisë kundër sëmundjes Covid-19.
Plani i vjetëruar është element thelbësor në hetimet preliminare që po kryhen nga prokurorët në Bergamo për neglizhencë të mundshme kriminale nga autoritetet. Bergamo ndodhet në provincën e Lombardisë, e cila ishte goditur më së shumti në Itali gjatë valës së parë të pandemisë.
Të dielën e kaluar, shifra e përgjithshme e të vdekurve nga koronavirusi në Itali shkoi në mbi 60.000 dhe është numri i dytë më i lartë në Evropë, pas Britanisë së Madhe, e cila ka vetëm rreth 200 viktima më shumë.
Hetuesit janë gjithashtu duke e përdorur një raport të hartuar gjatë valës së parë nga gjenerali i pensionuar i ushtrisë, Pier Paolo Lunelli, në të cilin thuhet se rreth 10.000 vdekje mund të jenë shkaktuar nga mungesa e protokolleve të mjaftueshme kundër pandemisë.
Zambon, i cili punon në zyrën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Venecia, tri herë është thirrur për të raportuar para prokurorëve, por një gjë të tillë nuk e ka lejuar OBSh-ja, e cila ka këmbëngulur se ai dhe 10 hulumtuesit tjerë që kanë qenë të përfshirë në hartimin e raportit duhet të kenë imunitet nga detyrimi për dhënien e dëshmive. Vetëm Guerra ka folur para prokurorëve në fillim të nëntorit, por përmbajtja e dëshmisë së tij nuk është publikuar.
Pas kërkesave të para të prokurorisë që Zambon dhe shkencëtarët tjerë të raportonin, OBSh-ja tha se prokurorët rajonalë duhet t’i ndjekin rrugët diplomatike për këtë çështje, duke paraqitur kërkesë përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, transmeton Gazeta Express.
Kërkesa më e re që Zambon të raportonte para organeve të drejtësisë ishte më 10 dhjetor, por ai përpsëri u bllokua nga OBSh-ja për ta bërë këtë, pavarësisht se kishte kërkuar leje.
“Kur pranova kërkesat e para, i raportova ato te zyra ligjore e OBSh-së dhe shpejt mora përgjigje se nuk mund të shkoj për shkak se jam i mbrojtur nga imunitetit, pavarësisht faktit që unë dëshirova të shkoj dhe pata diçka për të thënë”, tha Zambon për gazetën “The Guardian”.
Ai thotë se Guerra e ka kërcënuar me largim nga puna, nëse nuk e ndryshon pjesën e raportit ku bëhet fjalë për planin e vjetruar kundër pandemive. Zambon tha se pavarësisht se ka raportuar në OBSh për kërcënimet që i janë bërë dhe për rrezikun që u paraqitet transparencës dhe neutralitetit të organiztës, nuk është kryer asnjë hetim i brendshëm për këtë çështje.
Në kohën e largimit të raportit nga uebfaqja zyrtare, Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk kishte treguar pse e ka bërë këtë, por përmes një deklarate javën e kaluar tha se raporti përmbante pasaktësi.