SHBA-ja do ta sanksionojë Turqinë sherri i sistemit raketor rus
Hapi i paralajmëruar shumë kohë më parë, i cili mund të zemërojë Ankaranë dhe t’i vështirësojë relacionet SHBA-Turqi në prag të ardhjes së presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden, në krye të Shtëpisë së Bardhë, mund të ndodhë nga dita në ditë, kanë bërë të ditur burime të afërta me administratën amerikane, duke folur nën kushtin e anonimitetit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i vendosin sanksione Turqisë për shkak të blerjes së realizuar vitin e shkuar të sistemeve ruse të mbrojtjes raketore S-400, në një veprim që rrezikon t’i përkeqësojë edhe më shumë marrëdhëniet veçse të rënduara në mes të dy aleatëve në NATO.
Hapi i paralajmëruar shumë kohë më parë, i cili mund të zemërojë Ankaranë dhe t’i vështirësojë relacionet SHBA-Turqi në prag të ardhjes së presidentit të zgjedhur amerikan Joe Biden në krye të Shtëpisë së Bardhë, mund të ndodhë nga dita në ditë, kanë bërë të ditur katër burime të afërta me administratën amerikane, duke folur nën kushtin e anonimitetit.
Sanksionet mund të vënë në shënjestër industritë e Mbrojtjes të Turqisë dhe udhëheqësin e rrjetit të tyre, Ismail Demir, kanë thënë burimet e agjencisë së lajmeve Reuters. Disa burime të tjera kanë njoftuar se shpallja e vendimit për sanksione mund të bëhet të premten, ndonëse një tjetër zyrtar amerikan ka thënë se diçka e tillë mund të ndodhë dita-ditës, madje edhe qysh të enjten.
Lira turke ka pësuar rënie të re pas publikimit të këtij lajmi. Sanksionet amerikane do të mund ta dëmtonin ekonominë tanimë në tkurrje të Turqisë, si pasojë e ngadalësimit ekonomik shkaku i pandemisë së koronavirusit, inflacionit dyshifror dhe shterimi i theksueshëm i rezervave të huaja.
Një zyrtar i lartë turk ka thënë se sanksionet do të gjenerojnë kundërpërgjigje dhe t’i dëmtojnë edhe më shumë marrëdhëniet midis dy vendeve anëtare në Aleancën ushtarake Veriatlantike.
“Sanksionet nuk do të prodhojnë ndonjë rezultat tjetër, pos që të gjenerojnë kundërreagim. E kjo gjë do t’i dëmtojë marrëdhëniet”, ka thënë zyrtari. “Turqia është në favor të zgjidhjes së këtyre problemeve me anë të diplomacisë dhe negociatave. Nuk do të pranojmë asnjë imponim të njëanshëm”, ka shtuar ai.
Departamenti Amerikan i Shtetit mund, megjithëkëtë, t’i ndryshojë planet dhe ta thellojë apo ta ngushtojë shkallën e sanksioneve të planifikuara ndaj Turqisë, vend ky anëtar i NATO-s prej dy dekadash.
Sidoqoftë, burimet e afërta me zhvillimet kanë thënë se shpallja e sanksioneve në formën e tyre aktuale është e pashmangshme dhe kanë sugjeruar se Shtetet e Bashkuara – pas pritjes së konsiderueshme që Turqia të ndryshojë qëndrim përballë paralajmërimeve për sanksione – ka humbur durimin dhe është më në fund e gatshme për veprim.
Departamenti Amerikan i Shtetit nuk i është përgjigjur kërkesës për ta komentuar zhvillimin.
Rusia i dërgoi Turqisë sistemin e raketave tokë-ajër S-400 gjatë vitit të shkuar, ndërsa Turqia e testoi atë qysh në tetor. Ankaraja ka bërë të ditur se këto raketa nuk do të integrohen në sistemet e NATO-s dhe se si rrjedhojë nuk përbëjnë kërcënim. Ndërkaq, vendi ka thirrur edhe një grup të përbashkët punues për evidentimin e çështjes. Mirëpo, SHBA-ja ka shprehur shqetësimin se S-400 përbën megjithëkëtë kërcënim dhe ka shkuar aq larg sa ka njoftuar gjatë vitit të shkuar se e heq Turqinë nga programi i trajnimeve për fluturaket ushtarake F-35, si pasojë e vendimit të Ankarasë.
Aeroplanët luftarakë F-35 janë fluturaket më të avancuara në arsenalin e SHBA-së dhe përdoren edhe nga vendet anëtare të NATO-s dhe aleatët e tjerë amerikanë.