“Fjalori Enciklopedik Familjar” i Mehmet Krajës
Këto ditë ka dalë nga shtypi Fjalori Enciklopedik i Kosovës. Ky fjalor supozohet se buxhetit të shtetit i ka kushtuar qindra mijëra euro. Edhe pse i financuar nga paratë e taksapaguesve të varfër të Kosovës, ky fjalor luksi, vjen në kohën kur e gjithë bota digjitalizon gjithçka, e ne vazhdojmë të shtypim në letër. Po ashtu nga buxheti i varfër i Kosovës marrim para për të bërë enciklopedi të tilla familjare.
Menjëherë pas daljes në treg (me çmim astronomik prej 50 eurosh) të këtij fjalori enciklopedik, në redaksinë e FaktePlus kanë vërshuar kritika të mëdha, ngase ky fjalor enciklopedik është hartuar pa asnjë kriter, përjashtimisht kriterit familjar të kryeredaktorit Mehmet Kraja dhe marrëdhënies së tij të mirë ose të keqe me persona të caktuar.
Në këtë fjalor të financuar nga taksat tona, “shefi” pa fije turpi e as keqardhjeje ka futur gjysmën e familjes së vet dhe ka lënë jashtë tij personalitete të shquara të artit, shkencës, kulturës dhe historisë së Kosovës.
Kodi Penal i Republikës së Kosovës konfliktin e interesit dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare i ka paraparë si vepra penale të dënueshme me burgim.
FaktePlus merr vesh se organet ligj-zbatuese, për këtë skandal tashmë kanë nisur hetime ndaj kryeredaktorit Kraja dhe personave tjerë përgjegjës.
Jo pa shkak po e përmendim burgun, sepse në këtë fjalor nuk i gjejmë shumë emra të personaliteteve të shquara letrare e patriotike që janë dergjur nëpër burgjet e Serbisë e që fjalori familjar i Mehmet Krajës nuk gjeti vend për ta.
Po ashtu në këtë fjalor nuk i gjejmë edhe shumë dëshmorë të luftës së fundit.
Gjithashtu në këtë fjalor mungojnë data historike që e kanë diferencuar Kosovën nga ish-RSFJ.
Fjalori Enciklopedik i Mehmet Krajës, edhe pse në dukje i trashë, nuk kishte hapësirë edhe për shumë personalitete të artit, sportit, letërsisë, gazetarisë e fushave tjera.
Për korrektësi nuk po i publikojmë emrat e atyre që do duhej të ishin, e nuk janë. Mbase arsyet e vetme të lënies jashtë janë raportet personale e familjare të “shefit” të fjalorit me këto personalitete.
“Skandali korruptiv” i Fjalorit Enciklopedik të Kosovës në rrjetet sociale po konsiderohet si skandali i dytë më i madh pas atij me listat e veteranëve të UÇK-së.
Sa për ilustrim po rikujtojmë që në listat e veteranëve të rrejshëm kanë futur personalitete që gjithë jetën kanë luftuar për çlirim, ndërsa në listën e “veteranëve të vërtetë” gjenden ata që në kohën e luftës ishin 2 vjeç.
Burimet e FaktePlus brenda Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kanë bërë të ditur së për t’u futur emri në këtë fjalor, ndikim vendimtar kanë pasur jo vetëm kryeredaktori Kraja, por edhe vajzat e tij në fushat e profesioneve të tyre. Po ashtu i njëjti burim për FaktePlus kanë thënë se familja Kraja duke futur në këtë fjalor pronarë e kryeredaktorë mediesh, kanë tentuar t’ua mbyllin gojën atyre që do të reagojnë.
Për përfshirjen selektive dhe familjare në këtë fjalor janë shumë të pakënaqur edhe shumica e anëtarëve të Akademisë, përfshirë edhe kryetarin Nexhat Daci.
Për të gjitha këto shqetësime të raportuara në FaktePlus, ne kemi dërguar pyetje në AShAK, por deri tash s’kemi përgjigje.
FaktePlus ka tentuar disa herë të kontaktojë edhe me kryeredaktorin Kraja, i cili në të vetmen herë kur është lajmëruar në telefon, përveç arrogancës së tij, përgjigje tjera s’ka dhënë.
Edhe përkundër arrogancës, ne do të vazhdojmë të raportojmë për këtë temë, sepse, në fund të fundit, janë paratë tona, dhe kërkojmë llogari për to. B.SH. /FaktePlus