Fatmir Rexhepi (LDK): Asnjë Qeveri s’mund të ketë sukses nëse koalicioni nuk ka shumicë në Kuvend
Deputeti i LDK-së, Fatmir Rexhepi, ka thënë se asnjë Qeveri nuk mund të funksionojë siç duhet nëse nuk e ka një shumicë të theksuar të një koalicioni qeverisës në Kuvend.
“Parlamenti mund të jetë funksional vetëm kur ka një koalicion që i ka votat e mjaftueshme për të kaluar të gjitha projektligjet që ka hartuar Qeveria”, është shprehur Rexhepi.
Shembull të funksionimit të duhur, ai merr koalicionin paraprak të LDK-së me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Nga fillimi i vitit ajo që ishte shumë e pritshme dhe mesazh i fortë i shumicës së qytetarëve që dolën në votim më 6 tetor për koalicionin VV LDK që ishte formulë shumë e mirë, ku kishim shumicë parlamentare të shumicës shqiptare. Kishim mjaftë deputetë për të kryer punën e Kuvendit dhe të Qeverisë”.
Në Info Magazine, Rexhepi ka theksuar, se nuk është puna e dembelisë tek deputetët që ngecin punë pa u kryer.
“Mendoj që deputetët nuk janë dembelë por janë faktorët tjerë që ndikojnë, si ata politikë, institucionalë, të Qeverisë që brenda këtij vitit ka pasur shumë zhvillime që kanë pamundësuar punën më efektive të Parlamentit të Kosovës”.
“Me rënien e Qeverisë Kurti dhe ngritjen e Qeverisë së re u desh një koalicion ndryshe që për fat jo të mirë ka më pak vota të deputetëve shqiptarë. Shumica e deputetëve shqiptarë janë në opozitë”.
“Mungesa e deputetëve me arsye e pa arsye dhe situata shëndetësore krijoi një situatë të rëndë, një pjesë mungonte për arsye shëndetësore dhe u pamundësua funksionimi i mirë i Kuvendi. Pa pasur një qeveri me shumicë në parlament nuk mund të ketë sukses asnjë Qeveri”.