Emiratet e Bashkuara Arabe bëhen vendi i parë që merr vaksinën e Kinës kundër COVID-19
Emiratet e Bashkuara Arabe janë vendi i parë që kanë pranuar vaksinë kineze kundër COVID-19, duke thënë se ajo ka dhënë 86% efekt në një provë të fazës së tretë.
Vaksina, e prodhuar nga Grupi Kombëtar Farmaceutik i Kinës, ose Sinopharm, është “regjistruar zyrtarisht”, raporton agjencia shtetërore e lajmeve e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ministria e Shëndetësisë tha se “analiza tregon se nuk ka shqetësime serioze për siguri”.
Sidoqoftë, as Sinopharm dhe as Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë treguar të dhëna të hollësishme për 13 mijë pjesëmarrësit në prova.
Në njoftim nuk u tregua se sa prej atyre që morën pjesë kanë pasë sëmundje, apo numrin e atyre që u është dhënë vaksina. Nuk kishte gjithashtu asnjë informacion mbi efektet anësore.
Në deklaratën e parë publike mbi atë se sa është efektive vaksina, analiza kishte zbuluar se ajo ka prodhuar antitrupa që sulmojnë virusin në 99% të njerëzve që e morën atë dhe asnjë prej atyre që e morën vaksinën nuk ka pasë simptoma të rënda të COVID-19.