Erdogani e bën të fortin: Asnjë sanksion i BE-së nuk do të kishte ndikim të madh
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, tha të mërkurën se çfarëdo sanksioni i Bashkimit Evropian ndaj Turqisë nuk do të kishte ndikim të madh.
Përpos kësaj, ai e akuzoi Bashkimin Evropian se asnjëherë nuk ka vepruar në mënyrë të sinqetë dhe nuk i ka mbajtur premtimet, shkruan Reuters.
Para një samiti të BE-së që do të mbahet të enjten, Erdogani tha në një konferencë për gazetarë se “liderët e sinqertë” brenda BE-së janë kundër sanksioneve ndaj Turqisë.
Ai gjithashtu tha se Ankaraja do të vazhdojë t’i mbrojë të drejtat e veta në pjesën lindore të Detit Mesdhe, ku muajve të fundit ka pasur tensione.
Turqia është paralajmëruar për sanksione pas këmbënguljes për të bërë kërkime për burime natyrore të energjisë në një pjesë të kontestuar të Detit Mesdhe. Veprimin e Ankarasë e kanë kundërshtuar Greqia, Qiproja dhe Bashkimi Evropian.
Së fundi, Turqia i ka ashpërsuar raportet me Francën për disa çështje, përfshirë çështjen e Nagorno-Karabakut dhe trajtimin e pakicës myslimane në Francë.