Pesë kompanitë që shitën më së shumti armatim gjatë 2019-s janë nga SHBA-ja
Njëzet e pesë kompanitë më të mëdha në botë që merren me prodhimin dhe shitjen e armëve dhe pajisjeve tjera ushtarake, kanë shitur armatim në vlerë 361 miliardë dollarë amerikanë gjatë vitit 2019, ose 8.5 për qind më shumë se në vitin 2018.
Kompanitë nga SHBA-janë mbesin prodhuesit më të mëdhenj në botë, bazuar në Institutin Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stockholm, përcjell REL të hënën.
Në pesë vendet e para për nga shitja janë pesë kompani amerikane, ndërkohë që në 15 të parat janë shtatë kompani.
Kompania me më së shumti shitje gjatë vitit 2019 është Lockhead Martin Corp. Ajo ka shitur armatim në vlerë 53.2 miliardë dollarë. Pason Boeing me 33.5 miliardë, Northrop Grumman Corp me 29.2 miliardë, Raytheon me 25.3 miliardë dhe General Dynamics Corp me 24.5 miliardë.
Në vendin e gjashtë është prodhuesi kinez AVIC me shitje prej 22.4 miliardë dollarë.
Mes 15 prodhuesve më të mëdhenj është vetëm një nga Rusia. Almaz-Antey me shitje prej 9.4 miliardë dollarë në vitin 2019 zë vendin e 15-të.