Deri në verë 2021 në Zvicër pritet të vaksinohen të gjithë banorët kundër koronavirusit
Në janar shteti zviceran do të fillojë vaksinimin e banorëve kundër koronës. Çdo ditë pritet të vaksinohen nga 70 mijë njerëz. Planifikohet vaksinimi i 6 milionë banorëve.
Siç shkruan gazeta zvicerane “NZZ am Sonntag” që në ditët e para të janarit në Zvicër do të vaksinohen njerëzit e parë kundër koronavirusit. Një zyrtare e entit federal të shëndetësisë tha se kantonet janë duke bërë përgatitjet e nevojshme për vaksinim. Aksioni pritet të zgjasë 6 muaj dhe të përfundojë në verë.
Në fazën e parë vaksinimet do të kryhen në qendrat e mëdha, aty ku është e koncentruar pjesa më e madhe e popullatës. Planifikohet që çdo ditë të vaksinohen nga 70 mijë njerëz. “Duam t’i vaksinojmë 6 milionë njerëz – ose të gjithë që duan”, tha zyrtarja zvicerane.
Deri më tani asnjë vaksinë në Zvicër nuk ka marrë licencën për përdorim, por autoritetet janë në kontakt me zyrën përkatëse të BE-së dhe llogaritet se pasi kjo zyrë të marrë vendim, edhe në Zvicër do të lejohet vaksinimi.