Trumpi urdhëron tërheqjen e trupave amerikane nga Somalia
Shtetet e Bashkuara do t’i tërheqin pothuajse të gjitha trupat nga Somania gjatë muajve të ardhshëm si pjesë e një vargu vendimesh të presidentit në largim, Donald Trump, para largimit nga pushteti në janar.
Pentagoni përmes një deklarate njoftoi se disa nga trupat që do të largohen nga Somalia do të rivendosen në vendet fqinje të këtij shteti afrikan, ndërsa të tjerët do të tërhiqen tërësisht nga rajoni.
“Shtetet e Bashkuara nuk po tërhiqen dhe as nuk po largohen nga angazhimi në Afrikë. Ne mbesim të përkushtuar ndaj partnerëve tanë afrikanë dhe ndaj përkrahjes së qëndrueshme përmes një qasjeje nga tërë qeveria”, thuhet në deklaratë.
Shumica e trupave amerikane në Somali kanë qëndruar atje për ta trajnuar njësinë e forcave speciale “Danab” për të luftuar kundër ekstremistëve të grupit “Al-Shabaab”, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Analistët kanë thënë se motivi kryesor i Trumpit për vendimin e tërheqjes së trupave është që të ketë mundësi të thotë se e ka përmbushur premtimin e fushatës që t’i përfundojë, siç kishte thënë ai, luftërat e pafundme të Amerikës, duke ia lënë njëkohësisht pasojat e tërheqjeve me ngut pasardhësit të tij në Shtëpinë e Bardhë, Joe Biden.