Bideni paralajmëron “dimër të errët”, pasi COVID-19 merr hov në SHBA
Ish-nënpresidenti amerikan ka ofruar mbështetjen e tij për miratimin e një pakoje të pashembullt ndihmash prej 908 miliardë dollarësh, e cila ka gjeneruar përkrahjen e pjesëtarëve të Kongresit nga radhët e të dyja partive përbërëse
Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, ka paralajmëruar të premten për një “dimër të errët”, i cili do të mund t’i rriste dhembjet e shkaktuara nga pandemia e koronavirusit po qe se Kongresi nuk e kalon menjëherë pakon e ndihmave emergjente.
Një paralajmërim i tillë është bërë ditën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shënuar të dytën ditë të zymtë radhazi për sa i përket numrit të personave të infektuar dhe të vdekur si pasojë e COVID-19, sëmundje kjo që gjatë së premtes ka rezultuar edhe në ngadalësimin e tregut të punës në nëntor.
“Krejt kjo situatë kërkon veprim urgjent”, ka thënë Biden. “Amerikanët kanë nevojë për ndihmë dhe ajo u duhet menjëherë”.
Ish-nënpresidenti amerikan Biden ka ofruar mbështetjen e tij për miratimin e një pakoje të pashembullt ndihmash prej 908 miliardë dollarësh, e cila ka gjeneruar përkrahjen e pjesëtarëve të Kongresit nga radhët e të dyja partive përbërëse. Por ai ka thënë se kjo pako do të ishte “vetëm fillimi” dhe është zotuar për të ushtruar presion rreth një asistence shtesë, kur ta marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë në janar.
Presidenti i zgjedhur është përqendruar fuqimisht në krizën e pandemisë dhe atë të ekonomisë gjatë transicionit, pas një fushate në të cilën ai e kritikoi mënyrën e presidentit Donald Trump me menaxhimin e emergjencës shëndetësore.
Duke i komentuar zhvillimet e rëndësishme rreth aprovimit të vaksinës së kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech” kundër COVID-19, Bideni është shprehur i gatshëm gjithashtu që ta merrte publikisht këtë kurë për ta demonstruar efikasitetin e saj para qytetarëve.
Me këtë Biden u është bashkuar iniciativave të ngjashme të ish-presidentëve amerikanë – Barack Obama, Bill Clinton dhe George Bush. Ai ka siguruar se në momentin kur eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në vend, Anthony Fauci, deklaron se vaksina është efektive, ai do të dalë para publikut.
Fauci ka mbajtur gjatë së enjtes një takim me presidentin e zgjedhur, në të cilin Bideni i ka kërkuar që të mbetet pjesë e administratës së tij të ardhshme, si këshilltar kryesor për shëndetësi. Debati mbi marrjen e vaksinave është ndezur pasi Britania e Madhe u bë të mërkurën vendi i parë perëndimor që ka dhënë aprovimin për vaksinën e “Pfizerit” kundër COVID-19. Veprimi i ndërmarrë në kohë rekorde ishte kritikuar nga eksperti amerikan Fauci. Por ai është sprapsur nga kritika gjatë së premtes, duke kërkuar publikisht falje. Ai ka thënë se është i bindur se britanikët dinë çfarë bëjnë dhe se janë profesionistë. Rregullatorët britanikë të ilaçeve kanë aprovuar vaksinën e “Pfizerit”, duke pretenduar se i kanë rishikuar me rigorozitet të dhënat dhe se nuk kanë kurrfarë shqetësimi rreth efikasitetit të tij.