Greqia e zgjat përsëri afatin e izolimit, mbetet e mbyllur deri në mesin e dhjetorit
Greqia e ka zgjatur afatin e izolimit deri më 14 dhjetor me qëllim të kufizimit të numrit të infeksioneve të koronavirusit, bëri të ditur të enjten zëdhënësi qeveritar, Stelios Petsas.
Këto masa, të cilat janë marrë pas valës së dytë të rasteve në vendin ballkanik, edhe më parë janë zgjatur për një javë pas skadimit të afatit fillestar.
“Ekziston një stabilizim apo më shumë një rënie e rasteve, por me një ritëm më të ngadalshëm sesa është pritur”, tha zëdhënësi qeveritar gjatë deklaratës në televizion.
Masat kufizuese fillimisht ishin planifikuar për t’u hequr më 30 nëntor, por qeveria ua zgjati afatin deri më 7 dhjetor e me vendimin e fundit ato do të mbeten në fuqi deri më 14 dhjetor, shkruan Reuters.
Deri më tani, Greqia ka regjistruar rreth 110.000 persona të infektuar me virusin SARS-CoV-2 dhe 2.186 të vdekur.
Gjatë fazës së parë të pandemisë, Greqia ia doli të shpëtonte me numër relativisht të vogël të rasteve falë izolimit të hershëm dhe masave tjera të rrepta.