1.5 milionë euro për fizibilitetin e termocentralit “Kosova A”
Jetëgjatësia e termocentralit “Kosova A”, i vlerësuar si ndotësi më i madh në Kosovë, pritet të zgjatet.
Edhe pse Kosova ishte zotuar karshi Bashkimit Evropian se ky termocentral do të mbyllej, një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
Korporata Energjetike e Kosovës ka shpallur tender për ta bërë studimin e fizibilitetit për këtë termocentral.
1 milion e 500 mijë euro do t’i paguhen kompanisë që do ta kryejë studimin e fizibilitetit.
Në dosjen e tenderit specifikohet që ky studim po bëhet për t’i parë mundësitë e investimit në të.
“Theksi kryesor i këtij studimi është fizibiliteti i termocentralit “Kosova A” dhe mundësitë e revitalizimit të tij, si një hap i rëndësishëm drejt ofrimit të sigurisë së furnizimit me energji elektrike”, thuhet në dosjen
Përmes një përgjigjeje me shkrim, nga Korporata Energjetike kanë thënë se fati i këtij termocentrali ka qenë i ndërlidhur me ndërtimin e kapaciteteve të reja.
“Në këtë situatë, konform obligimeve që kemi për siguri energjetike të vendit, KEK-u pas analizimit dhe vlerësimit të situatës ka parë si të domosdoshëm një studim të TC “Kosova A” me qëllim që të kemi një vlerësim të qartë të ekspertizës profesionale ndërkombëtare si në aspektin operativ, teknik, po ashtu edhe atë financiar, duke respektuar të gjitha normat vendore dhe direktivat e BE-së për sa i përket mbrojtjes së mjedisit”, ka thënë zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli.
I domosdoshëm është funksionimi i këtij termocentrali, sipas këtij institucioni.
“Nga ky studim pritet që të qartësohet si të veprohet me TC “Kosova A” në të ardhmen, për faktin se rrethanat e tanishme tregojnë se operimi i TC “Kosova A” duket se është më se i domosdoshëm duke pasur parasysh burimet e kufizuara energjetike deri në gjetjen e alternativave tjera të mundshme që do të zëvendësonin kapacitetet e këtij termocentrali”, thotë Bucolli.
Por Zyra e Bashkimit Evropian e ka përsëritur se mbetet e përkushtuar që KEK-un ta mbështesë në procesin e shpërbërjes së “Kosovës A”.
“Qeveria e Kosovës është zotuar për dekomisionimin e “Kosovës A” në vitin 2009 bazuar në gjetjet se rehabilitimi i “Kosovës A” do të ishte shumë i kushtueshëm dhe nuk do të ishte konkurrues në treg. BE-ja mbetet e përkushtuar të mbështesë procesin e çaktivizimit të “Kosovës A” nën kornizën IPA III, duke filluar nga çaktivizimi i objekteve në kompleksin e termocentralit “Kosova A” që nuk janë më në veprim. Për më tepër, ne po shohim përpara për të mbështetur KEK-un në transicionin e tij në prodhimin e bazuar në burime të ripërtërishme, siç është dielli, i ngjashëm me shërbimet e tjera të gjenerimit të energjisë në rajon”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
Termocentrali “Kosova A” përbëhet prej 5 blloqeve. Blloku i parë është lëshuar në punë në vitin 1962, ndërsa i fundit më 1975.
Të gjitha blloqet, siç edhe thuhet në webfaqen e KEK-ut, pritej që të nxirreshin nga funksioni me ndërtimin e “Kosovës së Re”.
Por ky projekt që planifikohej ta stabilizonte furnizimin me rrymë dhe të reduktonte ndotjen e ambientit ka dështuar për shkak së është tërhequr investitori.